Thirrje për solidarizim me viktimat e dhunës seksuale në konflikt
“M’kanë qu zhag për flokve me ni shpi ngat rruge, qaty mi kanë marrë ditë ma t’mira jetës, ma kanë marrë rininë se për mu jetë ma s’ka pas”. “Plaga jem asht tuj ma marrë shpirtin çdo ditë”. Janë vetëm disa nga fragmentet e shkëputura të rrëfimeve të grave viktima të dhunës seksuale në konflikt, […]
“M’kanë qu zhag për flokve me ni shpi ngat rruge, qaty mi kanë marrë ditë ma t’mira jetës, ma kanë marrë rininë se për mu jetë ma s’ka pas”.
“Plaga jem asht tuj ma marrë shpirtin çdo ditë”.
Janë vetëm disa nga fragmentet e shkëputura të rrëfimeve të grave viktima të dhunës seksuale në konflikt, të vendosura brenda zarfeve të bardha që u përcollën tek qytetarët.
Mesazhe të dhimbshme e disa edhe inkurajuese, po u shpërndahen nga vullnetarë në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, në sheshin “Nënë Tereza” me një arsye specifike.
“T’u ofrojmë qytetrëve një fragment të shkëputur nga narrativat e të mbijetuarve dhe në të njëjtën kohë për të paraqitur vështirësit e tyre, dhe gjithashtu për t’u lftuar stigmën që luftojnë këta persona”, ka deklaruar Sabina Kaçinari, menaxhere në QKRMT.
E sikurse çdo 19 qershor tjetër, thirrja po e njëjtë për solidairizim me viktimat vazhdon.
“Ky aktivitet ka për qëllim për të bërë thirrje për më shumë bashkëndjenjë, më tepërn solidaritet shoqëror ashtu që kosovarët ta luftojnë stigmën që i rrethon të mbijetuarit e dhunës seksuale sepse këto mesazhe shprehin dhimbje, por në të njëjtën kohë shprehin edhe fuqizim për të shprehur theksin që të mbijetuarit të kenë qasje në shërim, në drejtësi, ashtu që të ndjehen të fuqizum”, ka deklaruar Selvi Izeti – Çarkaxhiu, psikologe në QKMRT.
Ndonëse gratë protagoniste nuk qenë prezente në aktivitet, mesazhet u përcollën nga QKRMT, Medica Gjakova, Medica Kosova dhe Qendra për Promovimin e të drejtave të grave.
Thirrjeve për solidarizim u është bashkuar edhe presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri, Albin Kurti i cili ka inkuruajuar viktimat të rrëfejnë krimet e përjetuara.
“Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, bëjmë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria. Është detyrim yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. Të jemi zë i fuqishëm e krah i fortë. Sot dhe përherë. Në kujtim të viktimave që kanë humbur jetën, përkulemi me respekt. Nderojmë të mbijetuarat për forcën e qëndresën e tyre. Angazhohemi për mbështetje institucionale dhe për drejtësi. Përmes ndryshimit të ligjit e kemi zgjatur afatin për aplikim për njohjen e statusit, viktimë e dhunës seksuale të luftës, deri më 15 maj 2025. Duke ua njohur vuajtjet grave dhe vajzave, burrave dhe djemve të mbijetuar, ne i inkurajojnë që të thyejnë heshtjen për këtë krim lufte”, ka thënë ai.
Në Kosovë, përllogaritet se numri i personave të përdhunuar gjatë luftës më 1999,është rreth 20 mijë.















