Në ceremoninë mortore të ish-udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei në Teheran, janë dëgjuar thirrje të forta për hakmarrje ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Gjatë një tubimi masiv në xhaminë “Imam Khomeini”, ku mijëra qytetarë morën pjesë në ceremonitë e varrimit, disa pjesëmarrës dhe folës kanë bërë thirrje për vrasjen e Trumpit, duke e lidhur atë me vrasjen e Khameneit dhe familjarëve të tij në fillim të konfliktit SHBA–Izrael.
Poeti Mohammad Rasouli, në një fjalim para lutjeve mortore, u citua duke thënë se “vrasja e Trumpit është përgjegjësia jonë”, duke shkaktuar reagime të ndryshme, ndërsa një pjesë e turmës e ka mbështetur me duartrokitje dhe brohoritje.
Ceremonia u shoqërua me prani të madhe qytetarësh që mbanin flamuj iranianë dhe simbole të hakmarrjes, ndërsa në hapësirat përreth xhamisë u dëgjuan thirrje si “pa kompromis, pa dorëzim, vetëm hakmarrje”.
Në funeral morën pjesë edhe zyrtarë të lartë iranianë nga institucionet politike dhe ushtarake, përfshirë figura të Gardës Revolucionare, ndërsa mediat iraniane raportuan për një pjesëmarrje masive në ceremonitë e ditëve të zisë, raporton The Guardian.
Sipas raportimeve, trupi i Khameneit pritet të përcillet në disa qytete të shenjta në Iran dhe Irak përpara se të varroset përfundimisht në Mashhad.
Ceremonia, e zhvilluar në kushte të tensionuara politike dhe ushtarake, u shoqërua me mesazhe të forta kundër SHBA-së dhe thirrje për rezistencë, ndërsa zyrtarë amerikanë dhe figura konservatore kanë komentuar në mënyrë kontraverse mbi zhvillimet e funeralit.