Time Kadrijaj dëshmon në Speciale, flet për kyçjen në UÇK e për një person me nofkën “Ujku”

Deputetja, Time Kadrijaj tha se është kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998 në Deçan, duke shtuar se puna e saj ka qenë mjeke

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka filluar dëshminë dëshmitarja Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kadrijaj tha se është kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998 në Deçan, duke shtuar se puna e saj ka qenë mjeke.

Kadrijaj do të dëshmojë pa masa mbrojtëse dhe është dëshmitarja e shtatë e mbrojtjes.

Pyetjet për këtë dëshmitare ka filluar që t’i parashtrojë mbrojtja e Pjetër Shalës përmes avokatit Jean-Louis Gilissen dhe do të zgjasë një orë e gjysmë.

“Mjeke e përgjithshme, e kam kry specializimin si gjinekologe. (Aktualisht) deputete e Republikës së Kosovës. (I përkas) Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, tha Kadrijaj, duke treguar se para fillimit të luftës ka jetuar në fshatin e lindjes në Rastavicë të Deçanit.

Kadrijaj tha se ajo ka qëndruar në fshatin e saj të lindjes dhe se aty ka shërbyer.

“Furnizimi me barna ka qenë i vështirë. Unë kam qëndruar në fshatin tim të lindjes për shkak se ka qenë vijë e parë e luftës dhe unë aty kam shërbyer. Secili fshatar aty ka shërbyer me aq sa mundësi kemi pasur. Meqenëse unë isha mjeke, kam punuar në shoqatën “Nënë Tereza”, me automatizëm kam filluar të punoj në fshatin e lindjes si mjeke”, tha Kadrijaj.

Kadrijaj tha se gjatë viteve 1998 dhe 1999 është larguar nga Kosova, duke përshkruar edhe vendet se ku ka shkuar.

“Diku në shtator-tetor ‘98 jam larguar nga Kosova. Pas ofenzivave jemi detyruar të largohemi dhe rruga që kemi ndjekur ka qenë Rugova që është bjeshkë, pastaj kemi dalë në Mal të Zi, në Ulqin dhe më pas në Durrës, për shkak se e kemi pasur një pjesë të familjes atje. Udhëtimin e kam bërë në Koshare-Papaj- Badesh dhe në Koshare”, tha Kadrijaj, duke theksuar se koha kur ka mbërritur në Koshare ka qenë fillimi i vitit 1999.

Në Koshare, Kadrijaj tha se ka pasur ekip mjekësor në vijën e parë të frontit.

“Edhe ekipa mjekësore ka qenë në vijat e para të frontit, për shkak të terrenit nuk ka pasur spital… kur ka pasur ndonjë të plagosur kemi shkuar të ndihmojmë”, tha Kadrijaj.

Ndërsa, për punët që i ka kryer, Kadrijaj tha se ka dhënë ndihmën e parë dhe më pas i kanë transferuar të plagosurit në qytetin e Bajram Currit.

“Jemi kanë një grup i mjekëve dhe kemi funksionuar si ekip mjekësor. Nuk e di a ka pasur njësi apo emër, por kemi qenë si njësi e mjekëve. Kemi funksionuar si ekip dhe nuk e kemi pasur ndonjë përgjegjës”, tha Kadrijaj tutje.

E pyetur se a ka qenë e pranishme ndonjëherë në Kukës, Kadrijaj tha se është caktuar në Koshare dhe aty ka filluar dhe përfunduar misionin e saj.

“Unë jam përcaktuar me qenë në Koshare, aty kam filluar dhe aty kam përfunduar”, tha Kadrijaj.

Ndërsa, tha se Milaim Zekën dhe Nasim Haradinajn i ka parë në Koshare, por që nuk e di se në çfarë periudhe kohore.

Ndryshe, pas deklaratës nën betim të Kadrijajt, seanca kaloi në sesion privat me kërkesën e trupit gjykues. Para kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia i tha dëshmitares se ajo është e pranishme në këtë seancë gjyqësore që të dëshmojë me kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës.

Sipas Veldt-Foglia, mbrojtja e Pjetër Shalës ka gjykuar se dëshmia e Kadrijajt është e rëndësishme në këtë çështje gjyqësore, duke menduar se ajo mund të ketë informata për ndonjë krim të kryer apo ndonjë kryes të mundshëm.

Kadrijaj gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e Pjetër Shalës është pyetur edhe për disa persona duke përfshirë edhe Safete Hadergjonajn, Ramush, Daut e Agron Haradinajn si dhe Shaip Musaj.

Time Kadrijaj tha se Safete Hadergjonajn e njeh, mirëpo ajo nuk është mjeke dhe se kurrë nuk e ka takuar gjatë luftës.

“Jemi të një vendi. Me thanë të drejtën raportet më të mira i kemi se kemi qenë të dyja deputete, më shumë që kemi pasur kontakt është pas lufte kur kemi punuar bashkë të dyja si deputete. Ajo nuk është mjeke dhe unë kurrë nuk e kam parë gjatë luftës”, tha dëshmitarja Time Kadrijaj.

Ndërsa, për Ramush Haradinaj ajo tha se ka qenë ushtar i dalluar dhe se ai nuk ka qenë kurrë në Shqipëri.

“Në luftë ka qenë një ushtar i dalluar. Ramushi nuk ka qenë në Shqipëri kurrë”, tha Kadrijaj, ndërsa lidhur me Daut Haradinaj nuk u dëgjua përgjigjja e saj.

Personin me emrin Agron Haradinaj, Kadrijaj tha se e ka parë në Koshare.

“Në Koshare ka qenë. Në rrethana të zakonshme qysh takohen njerëzit në rrugë dhe jo në rrethana ta tjera”, tha Kadrijaj, mirëpo s’është dëgjuar përgjigjja kur u pyet për personin me emrin Shaip Musaj.

Kadrijaj tha se nuk ka qenë asnjëherë në Kukës në vitin 1999 dhe se nuk i ka ofruar ndihmë Milaim Zekës atje kur ka qenë i plagosur.

Dëshmitarja Time Kadrijaj tha se Milaim Zeka është plagosur në Koshare dhe se aty iu është ofruar ndihma mjekësore.

“Është plagos në Koshare dhe ndihmën e parë e ka marrë në Koshare. Nuk ka asgjë reale, e vërteta është së Milaim Zeka është plagosur në Koshare, te Karaulli i Kosharës, pas ca ditësh dhe Milaim Zeka aty e ka marrë ndihmën e parë nga ekipi mjekësor. Ne kemi qëndruar aty dhe kur janë plagosur të plagosurit e kanë marrë ndihmën e parë në Koshare ose në Papaj ose në BAdesh dhe më pas janë përcjellë sipas rasteve në spitalin e Bajram Currit”, tha dëshmitarja Kadrijaj.

Më tej, Kadrijaj ka thënë se e ka njohur një person me nofkën “Ujku”.

Avokati Jean-Louis Gilissen e pyeti Kadrijajn nëse gjatë viteve 1998-1999 ka dëgjar për Pjetër Shalën, mirëpo përgjigjja e saj nuk u dëgjua, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, avokati Gilissen njoftoi se pyetjet për dëshmitaren nga mbrojtja e Pjetër Shalës kanë përfunduar.

Kurse, pyetjet për dëshmitaren do të vazhdojë t’i parashtrojë përfaqësuesit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Mirëpo, pas një pushimi 15 minutash, seanca rifilloi duke qenë e mbyllur për publikun./“Betimi për Drejtësi”

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika