Toksikologjia jashtë funksionit që prej zhdukjes së provave të rastit Dehari
Zjarri që kaploi Institutin e Mjekësisë Ligjore, nëntorin e kaluar, shkaktoi shumë dëme. Mes tyre, dëmtoi edhe laboratorin e Toksikologjisë. Laboratori trajton kryesisht prova të cilat kanë të bëjnë me procese gjyqësore. Tashmë, të gjitha provat që trajtohen nga ky laborator, janë duke u dërguar jashtë vendit. Në mesin e tyre, janë edhe disa prova […]
Zjarri që kaploi Institutin e Mjekësisë Ligjore, nëntorin e kaluar, shkaktoi shumë dëme. Mes tyre, dëmtoi edhe laboratorin e Toksikologjisë.
Laboratori trajton kryesisht prova të cilat kanë të bëjnë me procese gjyqësore. Tashmë, të gjitha provat që trajtohen nga ky laborator, janë duke u dërguar jashtë vendit.
Në mesin e tyre, janë edhe disa prova të cilat ndërlidhen me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Mosfunksionalizimi i laboratorit, avokati Florim Shefqeti tregon se po shkakton vonesa në procese gjyqësore.
“Këto vonesa kanë shkaktuar vonesa edhe në trajtimin e rasteve në kuptimin e efikasitetit të procedurave. Ky fenomen, përveç i këtij laboratori shfaqet edhe në aspekte të ekspertizave të tjera, konkretisht ka qenë aktuale edhe mungesa e shtretërve në institutin e psikiatrisë forenzike, por edhe të ekspertizave të tjera të cilat realisht vonohen për shkak të mungesës së kuadrove të mjaftueshme ose të pajisjeve të mjaftueshme”, ka deklaruar Florim Shefqeti – Avokat.
Televizioni Dukagjini mëson se laboratori kishte probleme në funksionim, prej kohës kur u zhdukën disa prej provave në rastin e Astrit Deharit.
E në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, akoma nuk ka nisur renovimi. Prandaj, edhe rifunksionalizimi i laboratorit, duket i largët.
“Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi autoritetin shtetëror, shteti mbahet përgjegjës, jo në këtë rast drejtpërdrejt Instituti i Mjekësisë Ligjore, mirëpo paditet shteti për shkak se nuk ka arritur ta organizoj një gjykim të drejtë. Çdo vonesë që mbartet në përgjegjësi të shtetit dhe që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, sikur kjo në realizimin dhe vlerësimin e ekspertizave të nevojshme për një proces gjyqësor qoftë penal apo tjera, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit dhe kjo sigurisht ka të bëjë me gjykimin e drejtë që është neni 5 dhe 6 i konventës evropiane”, ka theksuar Hilmi Jashari – Ish-Avokat i Popullit.
Ish-avokati i popullit, Hilmi Jashari, tregon se dërgimi i provave për ekzaminim në institute jashtë vendit, mund të shkaktoj probleme të reja.
“Sepse përgjegjësinë në këtë situatë do ta kishte bartë Instituti i Mjekësisë Ligjore, pavarësisht se çka do të kishte ndodhur, edhe nëse kontestohen ato vlerësime apo analiza. Mirëpo tani kur të kesh raporte kontraktuale me institute të tjera është e vështirë me e futë në përgjegjësi ligjore, për ta mbajtur përgjegjës dhe llogaridhënës në rast se ato kanë dështu, i kanë manipulu, keqpërdor ose është abuzu në çfarëdo forme”, ka shtuar Hilmi Jashari – Ish-Avokat i Popullit.
As nga Ministria e Drejtësisë e as nga Instituti I Mjekësisë ligjore nuk i janë përgjigjur televizionit Dukagjini gjatë javës, në lidhje me arsyet e mosfunksionalizimit të laboratorit Toksikologjik.















