Topalli për kontaktet mes veprimtarëve: Për disa grupe kemi mësuar vetëm më vonë

Ish-veprimtari Faton Topalli ka folur për njohuritë që kishte për grupet ilegale shqiptare dhe kontaktet mes organizatave që vepronin në Kosovë, gjatë viteve të veprimtarisë së tyre politike ilegale.

Në emisionin “Debat Plus”, në kuadër të ciklit “Dosjet”, Topalli tha se informacionet për personat që ishin pjesë e grupeve të tjera i kishte marrë kryesisht nga Abdullah Prapashtica, ndërsa për strukturat dhe organizimin e tyre nuk kishte njohuri të hollësishme.

“Shiko, ne kemi njohur, gjërat që kemi ditur i kemi ditur kryesisht nga Abdullah Prapashtica për njerëz që kanë qenë pjesë, kanë qenë kryesisht njerëz që janë ditur. Kadri Osmani, i arrestuar më herët, ka qenë Adem Demaçi, është dikush me mbiemrin Rukiqi, Xhafer Shatri, Sabri Novosella, vëllai i Sabriut, Selatin Novosella, figura të mrekullueshme të vendit tonë, atdhetarë me të cilët unë në atë kohë i kam dashtë me shumë simpati dhe këtë simpati e kam edhe sot”, deklaroi Topalli.

Ai tha se, ndonëse njihnin emrat e disa veprimtarëve, nuk kishin informacione për strukturat e grupeve ku ata bënin pjesë dhe nuk kishin pasur kontakte të drejtpërdrejta me ta.

“Ne nuk kemi ditur për grupin, për Kadri Osmanin kemi ditur, por nuk kemi ditur. Me i pas ditë strukturat, kish me qenë mirë, por nuk e kemi ditur. Nuk kemi pas kontakte me ta, e kemi ditur veç nëse janë dënuar më herët, kemi mund të dimë, përndryshe jo. Tash neve na ka ndodhur aty-këtu me taku ndokënd prej grupeve ose kemi marrë vesh më vonë”, u shpreh ai.

I pyetur nëse kishte pasur kontakte me grupe të tjera, Topalli tha se nuk kishte ditur për ekzistencën e disa veprimtarëve, duke përmendur rastin e Bajrush Xhemajlit dhe mënyrën se si materialet e organizatës kishin përfunduar tek ai.

“Nuk kemi pas. Për shembull, unë nuk kam ditur asgjë për Bajrush Xhemajlin, por Qamilin e kam njohur se e ka pas shok të shkollës dhe ia kam dhënë materialet e PKMLSHJ-së, dhe Qamili ia ka dhënë Bajrushit. Këtë nuk e kam ditur, sepse nuk e kam ditur që ekziston Bajrush Xhemajli, por e kam pa”, tha Topalli.

Ai u pyet edhe për deklarimin e Berat Luzhës, sipas të cilit Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës kishte tentuar të vendoste kontakte me ta, por ata nuk kishin shkuar në takim.

Topalli kundërshtoi këtë version, duke thënë se për këtë çështje nuk kishte biseduar asnjëherë me Luzhën, por se kishte pasur një përpjekje për të realizuar takimin.

“Nuk na ka ra me fol me Beratin kurrë për këtë punë dhe më vjen keq edhe që nuk ka ndodhur kjo, por kjo nuk qëndron kështu, sepse ne kemi shkuar në takim. Ka qenë Lumnije Azemi-Morina, është gruaja e Xhabir Morinës, ka qenë Fatmir Bajrami, njëri prej njerëzve më aktivë që e kemi pasë ne në Viti, Ferizaj e kështu me radhë. Ka qenë Abdullah Prapashtica dhe kam qenë unë”, deklaroi ai.

“Kemi shkuar në shtëpinë e Reshat Jonuzit, por nuk e dinim kush qëndronte aty”.

Topalli shpjegoi se Lumnije Azemi-Morina dhe Fatmir Bajrami kishin shkuar në shtëpinë e Reshat Jonuzit, ku ishte planifikuar të mbahej takimi. Sipas tij, ata nuk e dinin me siguri nëse informacioni që kishin marrë ishte i saktë dhe nëse personat që kërkonin ndodheshin aty.

“Lumnije Azemi-Morina dhe Fatmir Bajrami kanë shkuar në shtëpinë e Reshat Jonuzit. Aty ne këtë informacion e kemi pasë që aty ka me u bë takimi, por ne nuk e kemi ditur se kush qëndron aty, a është i saktë ky informacion a nuk është. Kështu që u mor vesh që Lumnija nuk ka ditur gjë për këtë çështje, nuk e di a e ka ditur Fatmiri, por mendoj që e ka ditur. Por ata dy kanë shkuar kështu me shiku si qëndron puna, a është ndokush a jo, dhe pastaj me na thirrë neve”, rrëfeu Topalli.

Ai tha se në atë kohë kishte qenë bashkë me Abdullah Prapashticën në veturë dhe se të dy kishin qëndruar në afërsi të shtëpisë për të vëzhguar situatën.

“Unë kam qenë me Abdullahun bashkë dhe kam qenë në veturë, duke lëvizë aty, por afër, kemi shikuar terrenin. Nuk është që ka pas ndonjë dyshim, por te shtëpia e Reshatit del tash, nuk e dimë a ka qenë nëna e Reshatit a kush ka qenë. Del një grua dhe, a di, ka qenë ashtu: ‘Kë po e kërkoni?’ I kemi thënë, por e kemi lënë me u taku me dikë. Ajo thotë nuk di gjë, edhe me kaq është kjo punë”, tregoi ai.

Topalli tha se nuk dëshironte ta fajësonte askënd për faktin që takimi nuk ishte realizuar, por vlerësoi se do të kishte qenë mirë që palët të takoheshin.

“Unë nuk ia zë për të madhe, por nuk kam ndonjë akuzë pse nuk jemi takuar. Mirë kishte me qenë me u taku, me u pas taku”, përfundoi Topalli.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika