Gjashtë persona janë gjetur të vdekur brenda një vagoni mallrash në Teksas, pranë kufirit me Meksikën, në një rast që autoritetet amerikane po e hetojnë si tragjedi të mundshme të lidhur me emigracionin ilegal.
Trupat u zbuluan të dielën pasdite në një tren të ndaluar në kantierin hekurudhor të qytetit Laredo, pasi një punonjës i kompanisë Union Pacific po kryente inspektim rutinë para nisjes së trenit drejt veriut.
Sipas autoriteteve lokale, viktimat u gjetën rreth orës 14:30, në kushte temperaturash që kalonin 32 gradë Celsius. Në vagon nuk u gjet asnjë person i mbijetuar.
“Është një ngjarje jashtëzakonisht tragjike. Janë humbur shumë jetë”, deklaroi Jose Espinoza nga departamenti lokal i informacionit publik, duke shtuar se ende nuk dihen identiteti, mosha apo statusi i emigracionit të viktimave.
Hetimet janë ende në fazën fillestare, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjeve.
Ngjarja vjen në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump ka ashpërsuar masat kundër emigracionit ilegal në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës. Megjithatë, raportime të fundit kanë vënë në dyshim pretendimet e administratës se kalimet ilegale kanë rënë në minimum.
Sipas mediave amerikane, të dhënat e Doganës dhe Mbrojtjes Kufitare (CBP) tregojnë se rreth 8 mijë persona u arrestuan gjatë marsit teksa tentonin të kalonin kufirin, një rritje prej 15 për qind krahasuar me vitin 2025.
Ndërkohë, po vazhdojnë debatet edhe për kushtet në qendrat e ndalimit të emigrantëve. Raportohet se autoritetet po shqyrtojnë mbylljen e një qendre të diskutueshme të paraburgimit në bazën ushtarake Fort Bliss në El Paso, ku të paktën tre persona kanë humbur jetën gjatë ndalimit nga autoritetet e emigracionit.
Tragjedia rikthen në vëmendje edhe rastin e rëndë të vitit 2022, kur 53 emigrantë, përfshirë gjashtë fëmijë nga Meksika dhe Amerika Qendrore, u gjetën të vdekur brenda një rimorkioje të mbyllur në Teksas, pasi ishin lënë pa ujë dhe ajër të kondicionuar gjatë transportit ilegal.