Tragjedia Morale e Serbisë

Është e vështirë të imagjinohet një Serbi më e mirë për sa kohë vazhdon telenovela politike prej 13 sezona e diktatorit të çmendur Aleksandar Vučić, siç tha një politikan opozitar. Askush nuk ka qenë kaq pashpresë i robëruar sa serbët gjatë 12 viteve të sundimit të errësirës dhe heshtjes, deri kur, fatkeqësisht, ndodhi tragjedia e tmerrshme në Novi Sad. Që nga ajo ditë, Serbia nuk është më e njëjta, sepse studentët u ngritën për të thënë: mjaft më me vdekjen që po vjen nga regjimi juaj i korruptuar, mafioz, kriminal dhe i errët. Dhe ajo kryengritje që e nxori Serbinë nga apatia, pavarësisht gjithë represioneve të pushtetit dhe dhunës deri në përdorimin e armëve të fshehta më 15 mars, nuk është shuar e as trembur.

Ata janë ende aty, çdo ditë dhe në çdo vend — përpara televizioneve propagandistike të regjimit, antipopullore dhe nxitëse të urrejtjes të Aleksandar Vučićit dhe makinës së tij të fuqishme propagandistike kundër studentëve. Diktatori kishte paralajmëruar shuarjen e kryengritjes studentore pas 15 marsit, por kur, për fatin e tij të keq, kjo nuk ndodhi, nisi çmenduria dhe histeria e tij.

Për javë të tëra ai përgatiti një kundërpërgjigje për studentët dhe qytetarët, përmes një kundërmitingu në Beograd, për t’u treguar se cili tubim ishte më i madh, më “patriotik”, më “historik”: ai i studentëve më 15 mars, të cilin e shpërndanë me armë sonike, apo panairi i tij tre-ditor për “mbrojtjen e Serbisë” me “Baja Mali Knindën” dhe repertorin e tij me këngë nacionaliste, e me një mal me sallamë, qofte dhe sanduiçë.

Lëvizja e tij “Për popullin dhe shtetin”, nën sloganin “Nuk e japim Serbinë”, nuk ishte asgjë tjetër përveçse një paradë turpi dhe neverie. Thjesht nuk mund ta kuptoj këtë lloj sëmundjeje për vetëlavdërim që ka presidenti i një shteti — të festojë veten. Dhe për çfarë? Për të organizuar një tubim personal pas 15 marsit? E në fund, s’arriti të tregojë asgjë tjetër përveç paaftësisë së vet.

Që Aleksandar Vuçiq i ra vetes burinë e fundit me mitingun tre-ditor, që kushtoi dhjetëra miliona euro dhe ku u sollën njerëz që ishin të detyruar të vinin sepse vendi i tyre i punës varej nga kjo pjesëmarrje, është më se e qartë — ai tregoi se është në gjunjë, sepse nuk arriti ta mbushte as me 50 mijë veta nga 700 mijë anëtarë e lojalista që thuhet se i ka partia e tij SNS.

Ndryshe nga ky tubim i “srbendave” dhe i regjimit antipopullor, të blerë me qoftet e me pagesë 100 euro për pjesëmarrje, në Novi Pazar në të njëjtën kohë ndodhi diçka krejt tjetër — një bukuri e rrallë dhe një shpërthim rinie. Aty, Novi Pazari u bë kryeqyteti shpirtëror i Serbisë, me një skenë historike: një i ri me kapelën tradicionale serbe valëviti flamurin boshnjak, ndërsa një student boshnjak dhe një studente serbe, të përqafuar dorë më dorë, lëshuan një pëllumb të bardhë — një mesazh i qartë paqeje.

Në Novi Pazar kishte pamje, në Beograd vetëm senzacion. Në Novi Pazar ishte rinia, atje pleqëria. Në Novi Pazar kishte shëndet, atje ilaçe dhe proteza. Ata andej thanë se studentët po gabojnë, por të paktën ata gabojnë falas dhe nuk sulmojnë me armë sonike. Kjo është fitorja më e madhe në historinë e Serbisë — një histori e përçarjes, e luftës, e fyerjeve. Por tani, rinia goditi barbarinë, të keqen dhe urrejtjen.

Ndryshe nga ajo Serbi që u mblodh në emër të mbrojtjes së pushtetit të një njeriu, një tjetër Serbi po ngrihet në emër të rinisë, lirisë, drejtësisë, shpresës dhe pajtimit. Vuçiq nuk e “jep” Serbinë, sepse nuk do të japë pushtetin, privilegjet, paratë dhe fuqinë.

Ndërkohë, studentët kërkojnë largimin e tij dhe ndalimin e represionit dhe dhunës. Prej aty u lind edhe maratona madhështore me biçikleta, e quajtur “Tura drejt Strasburgut”, që u prit me entuziazëm në çdo qytet ku kaluan 80 studentë pjesëmarrës.

Në Strasburg, ata do të priten nga përfaqësues të Parlamentit Evropian, Këshillit të Evropës dhe BE-së, për të dëgjuar zërin e tyre kundër arrogancës dhe tiranisë së një njeriu dhe një regjimi që ushtron tortura. Për të treguar se çfarë lloj Serbie duan të ndërtojnë.

Dhe nuk ka rrugë tjetër përveç largimit të tij.

Mjafton që studentët edhe një herë ta thërrasin Serbinë të mblidhet në Beograd.


DHE VUÇIQ ËSHTË I MBARUAR.
T’IA HEQIN MERIMANGAT SYVE TË SERBISË.

Të fundit nga rubrika