Prokuroria zvicerane ka njoftuar se ka hapur një çështje penale ndaj menaxherëve të një bari, ku një zjarr tragjik shkaktoi vdekjen e 40 personave dhe plagosjen e 119 të tjerëve.

Çifti francez – të identifikuar nga mediat si Jacques dhe Jessica Moretti – dyshohet për vrasje nga pakujdesia, lëndime trupore nga pakujdesia dhe shkaktim zjarri nga pakujdesia, bëri të ditur Zyra e Prokurorisë në kantonin Valais, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Tetë shtetas zviceranë nga viktimat ishin të parët që u identifikuan të shtunën.

Shkaku i mundshëm i zjarrit në barin Le Constellation, në Crans-Montana, dyshohet se kanë qenë fishekzjarrë të vegjël (sparklers) të vendosur në shishe, të cilët janë mbajtur shumë pranë tavanit, sipas rezultateve paraprake të hetimit.

Në një deklaratë, Beatrice Pilloud, kryeprokurore në kantonin Valais, tha se hetuesit po shqyrtojnë nëse shkuma akustike e lokalit ishte “shkaku i problemit”, si dhe nëse ajo përputhet me rregulloret e sigurisë.

Mes të vdekurve dhe të zhdukurve ka shumë adoleshentë. Le Constellation ishte një lokal i njohur për frekuentimin nga të rinjtë në qytetin turistik të skijimit, ku mosha ligjore për konsumimin e alkoolit është 16 vjeç.

Një golfist adoleshent nga Italia ishte viktima e parë që u përmend me emër, megjithëse autoritetet zvicerane dhe italiane nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht vdekjen e tij.

Autoritetet zvicerane nuk kanë publikuar emrat e tetë personave të identifikuar të shtunën, të gjithë të moshës 16 deri në 24 vjeç.

Tufa me lule, lodra prej pelushi dhe mesazhe dashurie dhe shprese janë vendosur jashtë barrierave policore përpara lokalit të shkatërruar nga zjarri.

Të shtunën, familjarët e viktimave po drejtoheshin drejt një qendre konferencash pak jashtë Crans-Montana.

Atje, anëtarë të Mbrojtjes Civile Italiane u takuan me familjarët, së bashku me ambasadorin e Italisë në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado.

Ambasadori Cornado tha se procesi i identifikimit pritet të përfundojë deri pasditen e së dielës.

Procesi po ecën ngadalë për shkak të djegieve shumë të rënda që kanë pësuar shumë prej viktimave, shtoi ai.