Etnik Brruti mund të jetë shumë shpejt pjesë e HNK Hajduk Split. Mesfushori kosovar e ndoqi nga tribuna përballjen mes Hajdukut dhe NK Osijek, të zhvilluar të martën në Split, të cilën e fituan mysafirët me rezultat 1:0.
Sipas raportimeve të mediave kroate, Brruti tashmë ka arritur marrëveshje me klubin e njohur kroat dhe pritet t’i bashkohet si lojtar i lirë nga FC Malisheva.
Për cilësitë e tij ka folur edhe trajneri i FC Ballkani, Mislav Karoglan, i cili në të kaluarën ka drejtuar Hajdukun. Në një intervistë për mediumin kroat “Jutarnji”, Karoglan e ka vlerësuar lart mesfushorin kosovar.
“Është shumë inteligjent dhe ka cilësi në finalizim. Nuk është një lojtar me shpejtësi dhe shkathtësi të jashtëzakonshme, por ka kreativitet. Do të duhet të presë pak, por besoj se do t’ia vlejë. Hajduku gjithmonë ka pasur sukses me lojtarë nga Kosova dhe Shqipëria”, ka thënë Karoglan.
Ai ka përmendur edhe disa emra që kanë lënë gjurmë te Hajduku, si Lumbardh Dellova, Emir Sahiti, Ardian Ismajli dhe Ron Raçi.
Brruti ka pasur një sezon shumë të mirë në Kosovo Superleague, ku në 27 paraqitje ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë tri asistime. Dy golat e fundit i realizoi pikërisht ndaj Ballkanit në fundjavën e kaluar.
Karoglan theksoi se adaptimi kërkon kohë, por beson se mesfushori kosovar do të ketë sukses në Split.
“Ai nuk është lojtari i parë nga Kosova që i bashkohet Hajdukut. Duhet durim dhe kohë për t’u përshtatur, ashtu siç ndodhi me Sahitin dhe Ismajlin. Ai është një lojtar shumë i respektuar këtu”, ka përfunduar Karoglan.