Dy persona kanë humbur jetën dhe rreth 40 të tjerë u lënduan kur një tramvaj doli nga shinat në qendër të Milanos të premten, njoftoi një zëdhënës i zjarrfikësve lokalë.

Tramvaji doli nga shinat në rrugën Vittorio Veneto, pranë Stacionit Qendror të qytetit, duke u përplasur me dritaren e një dyqani, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Shërbimet lokale emergjente thanë se 13 ambulanca ishin në vendngjarje teksa ekipet e mbrojtjes civile ngritën një tendë për të ndihmuar të lënduarit.

Kompania e transportit të Milanos, ATM, në një deklaratë tha se ishte “thellësisht e tronditur”, teksa shprehu ngushëllimet për të prekurit dhe njoftoi se po punonte me autoritetet për të kuptuar shkakun e aksidentit.