Tranzicioni shoqëror dhe ekonomik, ku po ngec shoqëria kosovare? Flet profesori i ekonomisë, Kadrijaj
Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj ka thënë se shoqëria e Kosovës është më mbrapa në aspektin shoqëror në më shumë sesa atë ekonomik. I ftuar në “Shpirtin e Vikendit” me Xheneta Asllani në Radio Dukagjini, Kadrijaj ka thënë se qytetarët preferojnë të shpenzojnë elemente monetare në kohë të krizave në vend se të njëjtat, të […]
Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj ka thënë se shoqëria e Kosovës është më mbrapa në aspektin shoqëror në më shumë sesa atë ekonomik.
I ftuar në “Shpirtin e Vikendit” me Xheneta Asllani në Radio Dukagjini, Kadrijaj ka thënë se qytetarët preferojnë të shpenzojnë elemente monetare në kohë të krizave në vend se të njëjtat, të kursehen.
“Kosovarët hyjnë në kredi për të shkuar në pushime, dimë të shpenzojmë kursimet minimale për gjëra të tekstilit, për luks… Tek ne, po shihet që mbesim keq, hyjmë borxh për të treguar një krenari, për të treguar se jemi me këmbë të qelqta”, ka deklaruar ai.
Kadrijaj ka thënë se nuk beson që lufta Rusi-Ukrainë ka ndikuar drejtpërsëdrejti në ekonominë në Kosovë.
Si ndikoi lufta Ukrainë-Rusi në ekonominë e Kosovës?
Kadrijaj ka thënë se Kosova ka pasur burime të tjera të grurit dhe se çmimet e derivateve ishin rritur para fillimit të luftës.
“Ne si vend, si rajon i Ballkanit, në nivel bruto të produktit botërorë të tregtisë, ne zëmë një vend jashtëzakonisht të vogël të nivelit të tregtisë jemi ndër lokomotivat e fundit që duhet të lëvizim mbrapa superfuqive ekonomike dhe politike natyrisht. Në atë drejtim, ne nuk mund të diktojmë asnjë orientim ekonomik por ne jemi para aktit të kryer e aq më shumë si Kosovë që në fakt, sa ishte pandemia, njëherit u rritën çmimet. Po ashtu, konflikti Ukrainë-Rusi ka ndikuar në mënyrë indirekte padyshim por s’do të thotë se në mënyrë direkte, Kosova ka pasur burimet e grurit dhe të tjera në vazhdimësi”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se lufta Ukrainë-Rusi nuk paraqet një bazë për rritjen e çmimeve por se e vlerëson si një “rritje artificiale” në nivelin botëror.
“Vlerësoj se ka qenë një rritje artificiale në nivel botërorë, në kuptimin se ka pasur për qëllim të pushtojë në aspektin ekonomik edhe shtetet por edhe qytetarët”, ka deklaruar ai.















