Në tremujorin e betimit si deputetë, të zgjedhurit e popullit regjistruan dështimin e 49-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit.

Këtë fundjavë, në vazhdimin e seancës që nisi më 15 Prill munguan plot 30 deputetë.

Sërish, kryesuesi i përkohshëm Avni Dehari nuk lejoi diskutime – duke ua ndalur fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së e AAK-së, të cilët i ftoi vetëm të propozonin anëtarët në komisionin për votim të fshehtë.

Megjithëse pasi iu ndal mikrofoni, deputetja Time Kadrijaj u tall sërish duke e propozuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e po ashtu në emër të popullit të Kosovës, i dëshirojmë kthim të suksesshëm në vendlindje deputetit Albin Kurti. Shpresoj që ke kaluar mirë”. (Dehari: “regjia ndaljani mikrofonin”), ka thënë Time Kadrijaj, Deputete e AAK-së.

Shakasë, Kurti i reagoi me buzëqeshje.

Nga 90 deputetë në sallë, 50 morën pjesë në votim – dhe në mungesë kuorumi seanca u ndërpre.

Pasi LV-ja, Nisma dhe komunitetet jo-shumicë dolën jashtë – me përjashtim të Duda Baljes e Veton Berishës – PDK, LDK e AAK vijuan me fjalime.

Teksa akuzoi partinë e parë për peng-marrje të Kuvendit dhe kërcënim të rendit kushtetues, deputeti i PDK-së Artan Behrami bëri një ndarje mes atyre që dolën dhe atyre që qëndruan në sallë.

“Partitë politike që kemi mbetur këtu në sallë janë gjenerata e rezistencës paqësore, e luftës çlirimtare, e shpalljes së pavarësisë dhe e shtet-ndërtimit. Janë partitë që e krijuan Republikën… Partitë që sapo e braktisën sallën e Kuvendit asnjëherë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur”, ka thënë Artan Behrami, Deputet i PDK-së.

Deputetja e LDK-së, Arjeta Abazi, ndërkaq akuzoi Vetëvendosjen se po e shkatërron shtetin nëpërmjet arrogancës dhe kokëfortësisë.

“Kuvendi është kthyer në një teatër të stërzgjatur, ku për fat të keq aktorët kryesor janë më të interesuar për skenën sesa për skenarin. Dhe nuk po ndalemi për shkak të ndonjë emergjence apo fatkeqësie natyrore, por për shkak të një partie që ende nuk e ka kuptuar që pushteti nuk është pronë personale”, ka thënë Arjeta Abazi, Deputete e LDK-së.

Teksa kritikoi kryesuesin Dehari për mënyrën e udhëheqjen e seancës, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj hodhi akuza ndaj Kurtit.

“Varemi nga z. Kurti ose mashtruesi, ai e ka zgjidhjen, ne nuk e kemi. Ne mund ta ndihmojmë zgjidhjen në rast të një kandidature unifikuese, i kemi dhënë edhe emrat. E kam tregu edhe më herët, po vërehet se ai e ka nda mendjen me bë keq e më keq për Kosovën”, ka thënë Ramush Haradinaj, Deputet i AAK-së.

Duke akuzuar partinë e dytë, tretë dhe të katërt për shkelje të Kushtetutës, deputeti i LV-së Artan Abashi tha se vetëm partia e tij po përpiqet të zhbllokojë situatën.

“Deputetët e opozitës t’i thërrasin arsyes së tyre, ta kryejnë rolin dhe mandatin e tyre kushtetues, duke i hapur rrugë kështu konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese na obligon të gjithëve të marrim përgjegjësitë dhe detyrat karshi mandatit tonë”, ka thënë Artan Abrashi, Deputet i LV-së.

Mbledhja e 50-të në kuadër të vazhdimeve të seancës konstituve është caktuar për të hënën, në orën 11, ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit përfundon më 26 Korrik.