Tre shtetas shqiptarë kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi të dielën, më 25 maj, në orët e para të mëngjesit pranë qytetit Koblenz në Gjermani.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë.

Sipas njoftimit zyrtar, përveç viktimave, katër shtetas të tjerë shqiptarë janë plagosur dhe po marrin trajtim mjekësor në spitalet lokale gjermane.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë. Me keqardhje njoftojmë se tre prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa katër të tjerë janë plagosur”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.

Ambasada e Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe po ndjekin nga afër zhvillimet.

Po ashtu, Ministria ka bërë të ditur se strukturat konsullore janë angazhuar për të ofruar ndihmën e nevojshme për menaxhimin e situatës, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit janë ende në vijim.