Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dielën, nën dyshimin për grabitje të armatosur në një market në fshatin Slivovë të Ferizajt.
Sipas njoftimit, të arrestuarit janë dy persona 28-vjeçarë dhe një 38-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur kur, sipas ankuesit, një person rreth 30 vjeç, i veshur me rroba të zeza, me syze dhe me shall të vendosur mbi fytyrë, ka hyrë në market dhe nën kërcënimin e një arme të gjatë ka marrë para nga arka, për t’u larguar më pas në këmbë në drejtim të varrezave të fshatit.
Njësitet policore kanë reaguar menjëherë, duke dalë në vendin e ngjarjes dhe duke ndërmarrë veprime intensive hetimore. Rreth orës 12:30 është arrestuar i dyshuari i parë, me inicialet B.T. (28 vjeç).
Rreth 20 minuta më vonë, policia ka konfiskuar një armë automatike të tipit AK-47, e cila dyshohet se është përdorur gjatë grabitjes.
Në vazhdim të hetimeve janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, R.H. (38 vjeç) dhe V.S. (28 vjeç), të cilët dyshohen për përfshirje në këtë rast.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit për krime të rënda, i cili ka autorizuar vazhdimin e hetimeve dhe intervistimin e të dyshuarve.
Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.