Tre të arrestuar në Prizren pas vdekjes së një të riu që dyshohet se qëlloi veten pasi bleu një armë
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pas një rasti tragjik të ndodhur në fshatin Skorrobisht të Prizrenit, ku një i ri dyshohet se ka ndërruar jetë pasi qëlloi veten me armë zjarri gjatë provës për blerje. Sipas njoftimit të Policisë, dy persona janë paraqitur në stacionin policor dhe kanë deklaruar se së bashku […]
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pas një rasti tragjik të ndodhur në fshatin Skorrobisht të Prizrenit, ku një i ri dyshohet se ka ndërruar jetë pasi qëlloi veten me armë zjarri gjatë provës për blerje.
Sipas njoftimit të Policisë, dy persona janë paraqitur në stacionin policor dhe kanë deklaruar se së bashku me viktimën kishin shkuar në një zonë malore për të testuar një armë që viktima planifikonte ta blinte.
Dyshohet se viktima kishte shtënë tri herë në tokë dhe më pas kishte qëlluar veten në kokë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, prokurori dhe ekipi i balistikës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.
Nga vendi i ngjarjes është sekuestruar një pistoletë pa fishekë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Dyshohet se viktima pasi e ka marrë armën ka shtënë tre herë në drejtim të tokës dhe pastaj ka qëlluar veten në kokë. Njësitë relevante policore, prokurori dhe ekipi i balistikës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një pistoletë pa fishekë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e PK-së.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre persona janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet si “Vdekje e dyshimtë” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve”.
Rasti mbetet në hetime.















