Tre raste të ndara të dhunës në familje janë raportuar gjatë mbrëmjes së 6 majit në komunat e Gjakovës dhe Malishevës, ku si pasojë disa persona kanë përfunduar në trajtim mjekësor, ndërsa tre të dyshuar janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti i parë ka ndodhur në Gjakovë rreth orës 21:30, ku një mashkull kosovar dyshohet se ka sulmuar dy persona, një femër dhe një mashkull.
“Viktima mashkull kosovar ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe në konsultim me prokurorin kujdestar dërgohet në ndalim për 48 orë”, thuhet në raportin policor.
Një tjetër incident është regjistruar në Malishevë rreth orës 22:00. Sipas Policisë, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.
“Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, bën të ditur Policia.
Ndërkohë, edhe në Gjakovë është raportuar një rast tjetër i dhunës në familje, ku një femër dyshohet se ka sulmuar një tjetër femër.
“E dyshuara femër kosovare është arrestuar dhe pas inicimit të rastit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet më tej në raport.
Policia e Kosovës ka njoftuar se hetimet për të gjitha rastet janë në vazhdim.