Një i vrarë, tre të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë

Forcat ukrainase duke qëlluar me artileri drejt caqeve ruse afër Bakhmutit. 13 prill 2023, Reuters.

Një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në një sulm raketor rus në Ukrainë më 1 shtator. Sulmi erdhi në kohën kur Rusia raportoi për më shumë sulme me dronë, përfshirë edhe një afër kryeqytetit dhe afrë një centrali bërthamor.

Një burrë u vra nga granatimet ruse në qytetin jugor ukrainas të Hersonit, njoftoi administrata ushtarake në këtë rajon.

Tre persona u plagosën kur një kompani private u godit nga një raketë lundruese me rreze të gjatë veprimi në qytetin Vinitsja, tha guvernatori Serhiy Borozov përmes një postimi në aplikacionin Telegram, shkruan REL.

Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës tha se rrëzoi një raketë të dytë të lëshuar si pjesë e sulmit gjatë natës. Raketa u rrëzua mbi rajonin qendror Kirovohrad, tha guvernatori lokal në Telegram.

Më herët, kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se sistemet mbrojtëse ajrore i kanë rrëzuar dy dronë për të cilët tha se po i afroheshin qytetit. Dronët u rrëzuan në jug të Moskës, shkroi ai në Telegram.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, raportoi se fluturimet u pezulluan përkohësisht të premten në tri aeroportet më të mëdha të Moskës, Sheremetyevo, Domodedovo dhe Vnukovo.

Ka pasur pengesa të vazhdueshme në nisje dhe ulje të aeroplanëve në aeroportet e Moskës në kohët e fundit, për shkak të rrezikut nga dronët.

Një sulm me dron u raportua edhe në Kurçatov, afër një centrali bërthamor në rajonin Kursk, tha guvernatori rajonal Roman Starovoit.

Shërbimet emergjente shkuan në vendin e ngjarjes për t’i vlerësuar dëmet në një ndërtesë administrative dhe në një ndërtesë banimi si pasojë e sulmit, tha ai.

Starovoit nuk përmendi ndonjë dëm të mundshëm në centralin bërthamor të Kurskit, e as nuk dha hollësi për ndërtesat e goditura.

Më herët, një guvernator lokal në rajonin perëndimor, Pskov, tha se mbrojtja ajrore ruse e kishte “neutralizuar një objekt të paidentifikuar”.

Rajoni Pskov, rreth 700 kilometra në veri të kufirit ukrainas, ishte cak i një sulmi të madh me dronë në fillim të kësaj jave. Dronët e goditën një aeroport duke e shkaktuar një zjarr masiv dhe duke i dëmtuar katër aeroplanë transportues il-76, njoftoi TASS më 30 gusht, duke cituar zyrtarët rusë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha më 31 gusht se Ukraina e ka zhvilluar një armë e cila është në gjendje ta godasë cakun 700 kilometra larg, duke iu referuar sulmi në aeroportin e Pskovit.

Zelensky tha se arma u prodhua nga Ministria e Industrive Strategjike e Ukrainës, por nuk dha hollësi të tjera.

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se më shumë se 25 beteja u zhvilluan në vijën e frontit në 24 orët e fundit.

Në raportin e vet ditor më 1 shtator, ushtria ukrainase tha se forcat e saj “po vazhdojnë të kryejnë operacione në drejtim të Melitopolit”.

Qëkur e nisi kundërofensivën, Ukraina i ka çliruar më shumë se dhjetëra fshatra, por ende nuk ka arritur të depërtojë në mbrojtjet kryesore të Rusisë.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika