Të paktën tre persona, përfshirë të dyshuarin, kanë vdekur dhe shtatë të tjerë janë plagosur pas të shtënave në një shkollë të mesme në St Louis, Missouri.

Personi i armatosur hyri në shkollën e mesme qendrore Visual & Performing Arts pak pas orës 09:00 të hënën, raporton BBC.

Dyert e objektit të shkollës ishin të mbyllura dhe nuk ishte e qartë se si hyri i dyshuari.

Dëshmitarët thonë se jetët u shpëtuan pasi arma e të armatosurit u bllokua në mes të sulmit.

Shkollat publike të St Louis thonë se policia “e ndaloi shpejt” sulmuesin.

I dyshuari, i identifikuar nga policia si një ish-student 19-vjeçar, shkëmbeu me armë zjarri me policinë dhe më pas iu nënshtrua plagëve të marra.

Motivi i tij për sulmin në shkollën e rreth 400 nxënësve është i paqartë.

Një vajzë adoleshente u shpall e vdekur brenda shkollës, ndërsa një grua vdiq në spital, tha policia për mediat lokale.

Shtatë të plagosurit – tre vajza dhe katër djem – të gjithë kishin lëndime jo të rrezikshme për jetën, sipas mediave lokale.

Nxënësit po dilnin me vrap nga shkolla kur oficerët arritën dhe thanë se sulmuesi kishte një “armë të gjatë”, sipas komisionerit të policisë së qytetit, Michael Sack.

Ai tha se shtatë punonjës të sigurisë në vend kishin vepruar shpejt për të njoftuar stafin tjetër dhe për të kontaktuar policinë.

U zbulua se personi i armatosur mbante qindra plumba që ishin renditur në gati një duzinë karikatorësh me kapacitet të lartë, tha më vonë z. Sack, duke shtuar: “Kjo mund të kishte qenë shumë më keq”.

“Kjo është një ditë zemërthyese për të gjithë ne”, shtoi ai. Agjentët e FBI-së po ndihmojnë hetimin.

Një student i tha stacionit lokal të lajmeve KMOV se sulmuesi kishte shkuar te një shoqe dhe e kishte pyetur: “A jeni gati të vdisni?”

Raven Terry tha, “Ne vrapuam vërtet, shumë shpejt… dhe thjesht po qanim, të gjithë të tronditur për këtë”.