Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka kritikuar ashpër gjendjen e tregut të energjisë në Kosovë, duke e quajtur atë të dominuar nga monopole dhe të largët nga parimet e një ekonomie të lirë tregu. Sipas tij, situata aktuale është pasojë e mungesës së llogaridhënies nga udhëheqësit politikë dhe përkeqësohet më tej nga vendimet jo profesionale në fushën e energjisë.

“Nuk kemi ekonomi të tregut të lirë derisa e kemi një monopol, që është distributori kryesor i energjisë elektrike. Derisa e kemi një prodhues të vetëm, siç është KEK-u, që furnizon tërë territorin e Kosovës,” deklaroi Misini. Ai theksoi se në këtë situatë, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari nga lidershipi politik.

“Lidershipi kryesor është ai qeverisës – i qeverisë aktuale. Pasi ne i besojmë votën, pastaj buxhetin dhe së treti të ardhmen. Është e papranueshme që në kohë kur kemi politika proteksioniste nga SHBA dhe çrregullime në tregun global, ne të përballemi me rritje të faturës së energjisë pa asnjë arsyetim profesional,” shtoi ai.

Profesori i ekonomisë përmendi edhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, duke thënë se çmimet e energjisë elektrike në bursat botërore kanë rënë dukshëm.

“Në një kohë kur çmimet kanë rënë në tregjet globale, ne në Kosovë, pa fije profesionalizmi dhe pa ndonjë analizë të drejtë, rrisim faturën për qytetarët. Kjo rritje sjell kosto shtesë për jetën dhe ndikon drejtpërdrejt në zvogëlimin e cilësisë së jetesës.”, shtoi ai.

Misini kërkoi që vendimmarrja të jetë më transparente dhe e mbështetur në fakte ekonomike, jo në interesa politike apo vendime të njëanshme. Ai bëri thirrje për reforma reale në sektorin e energjisë dhe një qasje të përgjegjshme ndaj interesit publik.

Misini deklaroi se qeveria aktuale e Kosovës duhet të jetë më transparente dhe të sqarojë arsyet pse është rritur çmimi i energjisë elektrike, megjithëse vendi ka burime të mëdha të thëngjillit.

“Nuk ka logjikë që ne të flemë mbi thëngjill dhe të importojmë energji,” shtoi ai.