Tregu në Mitrovicë mbetet jofunksional, Komuna e Mitrovicës nuk realizon planin e parashikuar

Tregu në Mitrovicë është jofunksional dhe tregtarët detyrohen të shesin në rrugë. Komuna e Mitrovicës  nuk ka realizuar planin dhe nuk ka mbajtur premtimin e dikurshëm, që 10 vjet tregu në Mitrovicë është i zbrazët dhe shitësit punojnë në rrugë

Komuna e Mitrovicës nuk ka realizuar planin dhe  nuk ka mbajtur premtimin e dikurshëm se të gjithë shitësit e rrugëve të vendosen në tregun e ri. Tashmë e 10 vjet tregu në Mitrovicë është i zbrazët dhe shitësit punojnë nëpër rrugë.

Shitësit ankohen se lokacioni i caktuar për tregun e gjelbër nga ana e Komunës në vitin 2012, ndodhet larg, dhe nëse vendosen atje, nuk do të kenë punë sepse qytetarët do të blejnë nëpër dyqanet që janë më afër qendrës.

Qytetarët kritikojnë shitjen e pemëve dhe primeve nëpër rrugë, duke thënë se një gjë e tillë është jashtë çdo norme dhe e dëmshme për shëndetin e tyre, kurse Komuna e Mitrovicës ka potencuar se është duke e trajtuar me prioritet çështjen, pa dhënë ndonjë afat se kur do të zgjidhet ky problem, raporton Kosovapress.

Nazmi Beqiri, shitës ambulant, e pranon se shitja e pemëve dhe perimeve nëpër rrugë nuk është gjë e mirë.

Beqiri ka thënë për se tregtarët i janë drejtuar komunës me një shkresë, ku kanë kërkuar që lokacioni afër shkollës së muzikës ‘Tefta Tashko’ të bëhet treg, dhe janë në pritje të një përgjigjeje.

Tregu në Mitrovicë

“Shesim nëpër rrugë sepse tregun e kemi pasur afër me xhaminë. Prej aty na kanë larguar me arsyetimin se po na bëjnë një treg të madh, por atje nuk vjen askush. Do të thotë shitje ditore s’ka atje, sepse lokacioni është larg, 300 metra larg nga këtu, kështu që shitje s’mundemi të bëjmë atje sepse derisa qytetarët të vijnë atje, i kanë të gjitha këndej deri te stacion’, ka thënë Beqiri

“Kërkesa jonë e tregtarëve është që tregu të vendoset në sheshin ‘Shemsi Ahmeti’ përballë shkollës së muzikës dhe kërkesën e kemi bërë që dhjetë ditë, por vetëm po na japin premtime, ndërsa konkretisht s’ka gjë. Ne jemi rrugëve dhe të gjithë tregtarët janë të vetëdijshëm se kjo është keq”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, Afërdita Tahiri, qytetare e Mitrovicës, thotë se shitja e gjërave ushqimore në rrugë është e dëmshme për shëndetin. Tahiri preferon që shitësit të shkojnë te lokacioni i tregut të ri, sepse siç ka thënë, nuk është shumë larg nga qendra, ose të vendosen në një lokacion tjetër ku nuk ka pluhur.

“Ndikon shumë keq në shëndetin tonë… Shitësit që shesin në rrugë nuk shkojnë atje te lokacioni i tregut, për shkak se po thonë se frekuentimi është shumë më i vogël, por unë mendoj se prapëseprapë nuk është larg, sepse është 200 metra nga këtu… Unë zgjidhjen e shoh që të gjithë shitësit e artikujve ushqimorë të vendosen në një pjesë të caktuar ku është sado pak e mbrojtur nga qarkullimi i veturave, pluhurit etj.”, u shpreh Tahiri.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Mitrovicë, Valon Brahimi, ka thënë se tregu i ri në të cilin është investuar vite më parë nuk është funksionalizuar në tërësi për shkak të praktikave të këqija të instaluara nga pushtetet e kaluara.

Sipas Brahimit, çështja e tregut mbetet të diskutohet në mes të dy alternativave, e para, të rifunksionalizohet tregu aktual me disa investime shtesë, ose të ndërtohet apo të përcaktohet një lokacion i ri.

“Çështjet e shitësve ambulantë dhe të tregut në Mitrovicë janë çështje komplekse. Ne po bëjmë përpjekje që të lirojmë hapësirat publike dhe të rifunksionalizojmë tregun në të cilin është investuar vite më parë, por i cili fatkeqësisht nuk është funksionalizuar në tërësi, për shkak të praktikave të këqija të instaluara nga pushtetet e kaluara”, ka thënë Brahimi.

“Çështja e tregut besoj se mbetet për t’u diskutuar në mes të dy alternativave. Ideja e parë është që të rifunsionalizohet tregu aktual, i cili kërkon disa investime shtesë për arsye se ka nevojë të përmirësohen disa aspekte në kuptimin higjieno-teknik. Një ide tjetër e cila mbetet vetëm në nivel idesh, është ndërtimi ose vendosja e një lokacioni të ri, një mini-tregu për pemë dhe perime, dhe kjo për arsye të ankesave të mëdha të shitësve ambulantë, të cilët ankohen se në vendin ku është caktuar tregu, është e pamundur të mbijetohet. Komuna e ka marrë parasysh kërkesën e tyre dhe është duke e trajtuar”, ka sqaruar Brahimi.

Brahimi ka shtuar se përkundër vullnetit, Komuna e Mitrovicës nuk ka mundësi të bëjë një zgjidhje të shpejtë, ndërsa nuk ka përcaktuar ndonjë afat kohor se kur do të zgjidhet kjo çështje.

 

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika