Trendi i ngritjes së çmimeve tashmë edhe në sektorin e ndërtimit

Çmimet e banesave në Kosovë dhe çmimet e qirave po shënojnë rritje për afro 25%. Kjo rritje, sipas personave kompetentë, pritet të vazhdojë ani pse prek e dëmton qyetarët, me theks të veçantë studentët banues

Ilustrim

Inflacioni në shumicën e produkteve dhe materialeve, ka përfshirë edhe materialet të cilat nevojiten për ndërtimin e shtëpive dhe banesave.

Një ngritje e tillë, ka bërë që çmimet e qirasë në Prishtinë të arrijnë në qiell.

Sipas Milot Mehmetit, menaxher i Pro Real Estate, i cili ofron me qira apo shet banesa në Prishtinë, që nga viti 2019 e deri më tani, çmimi i banesave është ngritur për 26.1% apo me një mesatare vjetore rreth 8.7%.

Milot Mehmeti, menaxher i Pro Real Estate

Sipas Mehmetit, ngritja e çmimit të materialit apo lëndës bazë për ndërtim ka bërë që çmimet e banesave të ngritën. Megjithatë, ai ka theksuar se kjo ngritje e çmimeve të banesave po ndodh në gjithë botën.

“Qeveria nuk mund të ndikojë në tregun e lirë të patundshmërive. Ngritja e çmimeve është duke ndodh në secilin vend të botës, sepse në kohët e inflacionit, investimi më i mirë është në patundshmëri, andaj ata të cilët e kuptojnë ekonominë e shohin industrinë e patundshmërisë si një vend të sigurt për investime”, ka thënë Mehmeti.

I pyetur për interesimin e qytetarëve për blerje të banesave, ai ka treguar se interesim ka pasur shumë gjatë kohës së pandemisë Covid-19, gjersa ka thënë se as tash nuk është se ka rënie të interesimit. Ky interesim, sipas tij, është më i pranishëm për banesat që ndodhën në qendër, edhe pse në ato çmimet janë ngritur më shumë.

“Gjithashtu edhe pandemia ka ndikuar ne ngritjen e çmimeve për shkak se jetesa në bashkësi të mëdha familjare ka qenë e vështirë apo e pamundur, andaj ka pasur kërkesë të madhe për blerje dhe për qira”, ka thënë Mehmeti.

“Në përgjithësi ngritja ka qenë e përgjithshme, por normal kërkesa për banim në qendër është më e madhe dhe kjo ka bërë që çmimet në qendër të ngriten më shumë sesa ato në periferi”, ka theksuar ndër të tjera Mehmeti.

Për Portalin Dukagjini, është prononcuar edhe Burim Halili, zyrtar i Agjensioneve për Patundshmëri në Prishtinë, i cili ka thënë se ngritja e çmimit të banesave dhe qirasë në të njëjtën kohë ka ardhur si rezultat i ngritjes së çmimit të materialeve, duke theksuar se armatura është ngritur për 100%, ndërsa çimento dhe druri për 75%.

Ai gjithashtu ka thënë se ngritja e çmimit të banesave dhe qirave ka ndodhur për rreth 25%.

Burim Halili, zyrtar i Agjensioneve për Patundshmëri në Prishtinë

“Ngritja e produkteve të ndërtimit të lartë është në të gjitha materialet, e në veçanti, armatura, çimento dhe druri, të cilat janë rritur, e para 100%, dy të fundit rreth 75%”, ka thënë Halili.

Megjithatë, një dimension ndryshe për ngritjen e çmimit të banesave dhe qirasë e ka shprehur zyrtari Halili, pasi sipas tij, edhe ikja e fuqisë punëtore ka shkaktuar një ngritje të tillë, gjersa ka shtuar se në ditët e sotme është vështirë të gjendet punëtorë, pasi ata kërkojnë pagë 600 euro, gjë që konsideron se ka çuar në ngritje të çmimeve të ndërtimit.

“Këtu kanë ndikuar materialet e ndërtimit, në veçanti duke mos përjashtuar edhe inflacionin që kemi ditëve të fundit në çdo produkt, duke përfshirë edhe fuqinë punëtore, sepse kohëve të fundit nuk ka punëtorë që punon në ndërtimtari nën 600 euro pagë, e këto kanë ndikuar që të ngritet m2 i ndërtimeve të reja”, ka deklaruar Halili për Portalin Dukagjini.

Sipas tij, qeveria e Kosovës nuk mund të ndihmojë shumë në këtë aspekt pasi produktet që vijnë nga jashtë janë shtrenjtuar, por ka thënë se ndihmen mund t’ua japë qytetarëve duke e hequr taksën në produktet esenciale.

“Qeveria këtu mund vetëm t’i heqë taksat nga këto produkte sadopak me dalë më lirë, më shumë nuk mundet se produktet që kanë ndikuar në ngritje të çmimeve janë produkte që vijnë nga jashtë, shumica ose bazën e kanë nga jashtë”, ka thënë Halili.

Ndërsa, sipas sociologut Genc Xerxa, trendi i ngritjes së çmimeve e ka përcjellë edhe sektorin e ndërtimtarisë.

Genc Xerxa, sociolog

Xerxa ka theksuar se ngritja e çmimit të banesave i atakon të gjithë qytetarët që nuk e kanë zgjidhur problemin e banimit, por me theks të veçantë studentët.

Për Portalin Dukagjini, gjithashtu ka folur edhe një studente, e cila banon me qira në kryeqytet, ajo ka thënë se ngritja e çmimit të qirasë do ta detyrojë atë të fillojë një punë dhe të anashkalojë studimet.

A.K nga Gjilani, studente në vitin e katërt, e cila banon me qira në një banesë në qendër të Prishtinës, ka thënë se ngritja e qerasë së banesës po i kushton asaj si studente.

“Unë jam studente dhe nuk punoj, prandaj kjo ngritje e qirasë besoj që shumë shpejt do të më detyrojë të hyjë në ndonjë punë”, ka thënë ajo derisa ka theksuar se para dy vjetësh, pra kur ishte në vitin e parë të studimeve paguante vetëm 60 euro për banesë, e cila ndodhej në Ulpianë, e që sipas saj në ditët e sotme të atillë nuk mund të gjesh as në largësi të qendrës në Prishtinë.

“Më kujtohet në vitin e parë, 60 euro e paguja banesën në Ulpianë te Soliteri, që sot nëse shkon aty, as atë se gjen më lirë se 200 euro”, ka theksuar ajo.

I pyetur për ndikimin që ka ngritja e çmimit të qirave të banesave te studentët, zyrtari i Agjensioneve për Patundshmëri në Prishtinë, Burim Halili, ka shtuar faktin se çmimi i banesave është ngrit për 25% dhe për studentët zgjidhja e vetme janë konviktet.

Konviktet, të njohura si Qendra e Studentëve (QS), janë pronë shtetërore që strehojnë çdo vit afro 4 mijë studentë, të drejtimeve të ndryshme. Për banim në konvikte nevojiten 35 euro, për shkak se 20 është banim dhe 15 është ushqimi, që përmban dy shujta.

Qendra e Studentëve, Prishtinë

Jo vetëm studentët i prek një ngritje e tillë e çmimit të banesave dhe qirave, por edhe qytetarët të cilët kanë dalë nga qytetet e tjera për të jetuar në Prishtinë, po shprehen të shqetësuar për ngritjen e çmimit të qirasë.

Shaban Hoxha, qytetar nga komuna e Kamenicës, ka thënë se jeton në banesë me qira dhe se që nga vera çmimi për banesë i është ngritur.

Nga 200 sa ka paguar më parë, tashmë paguan 270 euro në muaj.

Kësisoj, Hoxha ka shtuar se ngritja e qirasë së banesës po i kushton shumë, pasi ka një kosto të jetesës, e cila i mjaftonte me çmimin e qirasë në të kaluarën.

“Me rrogën që e marr, atëherë më konvenonte se i mbuloja të gjitha shpenzimet mirë. Tash me rritje të çmimeve në secilin produkt, shto këtu edhe rritjen e qirasë e kam më të vështirë”, ka thënë ai.

Gjithahtu, ai u ka bërë thirrje Qeverisë dhe qiradhënësve që të ulin çmimet e qirave, pasi këtë po e vuajnë qytetarët.

“Shpresoj që sa më shpejt qeveria dhe këta pronarët që ofrojnë banesa me qira, ta gjejnë një zgjidhje, se në fund të fundit na qytetarët që jetojmë në banesa me qira po i vuajmë pasojat”, ka theksuar Hoxha.

Krejt në fund, për Portalin Dukagjini ka folur edhe Bedri.Z, që është shef i një firme ndërtimi në qytetin e Pejës, ka theksuar se ka qenë i detyruar t’ ngrisë çmimet për ndërtim të shtëpive apo banesave pasi janë ngritur edhe çmimet e materialeve.

“Ngritja e çmimit të ndërtimit është ngritur në të njëjtën kohë me ngritjen e çmimeve të materialeve të nevojshme. Është ngritur së pari betoni, armatura e më pas edhe gjitha materialet që na nevojiten për ndërtim të një shtëpie, kësisoj edhe ne si firmë jemi detyruar të ngrisim çmimin e metrit katror për ndërtim”, ka thënë Z.

Ndërkaq, ai ka shtuar se intersimi i qytetarëve ka rënë pas ngritjes së çmimeve për ndërtim

“Megjithatë, pas ngritjes së çmimeve për ndërtim të shtëpive dhe banesave edhe interesimi i qytetarëve ka rënë. Veçanërisht në Komunën e Pejës, tashmë më pak shtëpi po ndërtohen. Më parë nuk ka pasur asnjë rast kur kemi ngelur pa punë, në ditët e sotme e kam të vështirë të gjejë të interesuar për ndërtim shtëpish/banesash”, ka përfunduar ai.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika