Tri pika kufitare me Serbinë të mbyllura, Merdarja e paqarkullueshme
Zyrtarët policorë që janë të vendosur në afërsi të pikë kalimit kufitar në Merdare, që nga e mbrëmja e së martës, po informojnë qytetarët e transportuesit e mallrave, që kjo pikë është mbyllur. Interesimi i qytetarëve, që kryesisht ishin mërgimtarë që kishin ardhur për pushime në Kosovë, ishte i shpeshtë për tu njoftuar me situatën […]
Zyrtarët policorë që janë të vendosur në afërsi të pikë kalimit kufitar në Merdare, që nga e mbrëmja e së martës, po informojnë qytetarët e transportuesit e mallrave, që kjo pikë është mbyllur.
Interesimi i qytetarëve, që kryesisht ishin mërgimtarë që kishin ardhur për pushime në Kosovë, ishte i shpeshtë për tu njoftuar me situatën në këtë pikë kufitare, që përdorët mjaft shumë në këtë kohë festash.
“Unë vetëm desha të e shikojë gjendjen se si është puna, a mudemi me kalu apo s’mundemi. Ne jetojmë në Gjermani, e kemi planifiku që me datën 4 ose 5 janar të kthehemi mbrapa. Nëse smundemi këtu me kalu, duhet të gjejmë një mënyrë tjetër, përndryshe duhet me shku ka Mali i zi, e që duhet një ditë më herët të nisemi”, ka thënë mërgimtari Naim Abdullahu.
“Nëse hapet rruga shkojë me kerr, nëse jo shkojë me aeroplan”, ka thënë mërgimtari Sadri Behrami.
Mbrëmjen e së martës, qytetarët serb në anën e territorit të Serbisë, kanë vendosur barrikadë në afërsi të pikë kalimit kufitar Merdare, në përkrahje të qytetarëve serb në veri. Kjo i ka shqetësuar banorët e fshatit Merdar.
“Valla ne e kemi parë shumë të brengosur, sepse këtu bashkatdhetarët janë duke ardhur për në shtëpi, shumë kallaballak i madh, i kishin gjujtur edhe me bomba apo cka janë ato, edhe i kanë maltretuar edhe i pamë si brengë të madhe..shumë shqetësuese, deri në 3 të natës askush s’ka flejtë jemi kanë tu e vëzhgu situatën se cka po ndodhë”, ka thënë Nexhip Halimi, banor i Merdarës.
Për tu informuar me situatën dhe për të vizituar këtë pikë kufitare, erdhi edhe kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi. Teksa tha se ndërkombëtarët duhet sa më shpejtë të largojnë, barrikadat e vendosura nga serbët, tha se kjo ka edhe një anë të mirë.
“Prandaj ndoshta mund ta kemi edhe një efekt pozitiv, që kamionët e shumtë që janë planifikuar të zbarkojnë në Kosovë, për një kohë do të jenë të bllokuar andej kufrit, të mos kenë mundësi lëvizje”, ka deklaruar Bulliqi.
Tash e më shumë se dy javë në pjesën veriore të Kosovës, janë vendosur më shumë se 10 barrikada, duke pamundësuar punën në pikë kalimin kufitar në Jarinje e Bërnjak.















