Tri shtëpi në pronësi të tre vëllezërve në Gjilan, të cilët jetojnë jashtë vendit, janë bërë cak i hajnave më 9 prill.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.

Sipas njoftimit, persona të panjohur kanë hyrë me forcë në këto shtëpi dhe kanë kryer vjedhje.

Nga vendi i ngjarjes është raportuar se është marrë një armë e shkurtë gjysmë automatike me 45 fishekë – armë kjo me leje të skaduar – si dhe një televizor.

“Ankuesi, një mashkull kosovar, ka njoftuar se persona të panjohur kanë hyrë me forcë në tri shtëpitë e vëllezërve të tij që jetojnë jashtë vendit dhe kanë vjedhur një armë gjysmë automatike me 45 fishekë dhe një televizor”, thuhet në raportin e Policisë.

Aktualisht, nuk ka të dyshuar apo persona të identifikuar në lidhje me këtë rast, i cili është duke u hetuar nga njësitet relevante policore.