Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku ai u vra në krye të detyrës.
Kurti ka thënë se Bunjaku ra më 24 shtator 2023, në mbrojtje të rendit, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës, duke e cilësuar atë hero të Kosovës.
Sipas Kurtit, grupi i armatosur që kreu sulmin ishte i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi dhe drejtohej nga Milan Radoiçiq.
Ai ka deklaruar se qëllimi i sulmit ishte nxitja e një konflikti të armatosur dhe gjakderdhjes në Manastirin e Banjskës, e më pas aneksimi i veriut të Kosovës.
“Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ai ka vlerësuar se sulmi u zmbraps falë, siç është shprehur, vendosmërisë dhe profesionalizmit të institucioneve të Kosovës.
Kurti ka përmendur edhe situatën e personave të përfshirë në sulm, duke thënë se tre prej tyre u vranë gjatë aksionit, ndërsa tre të tjerë ndodhen në burg që nga ajo ditë. Ai ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimin e personave të tjerë të përfshirë, me qëllim që ata të përballen me drejtësinë.
Në Banjskë, rruga në vendin ku ndodhi sulmi mban sot emrin e Afrim Bunjakut.
“Është e vërtetë, ata na kanë bërë dëm e shkaktuar vuajtje, por ne kemi fituar. Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhnjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët. Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut!”, ka shkruar Kurti.
