Biznesmeni i njohur bullgar dhe presidenti i klubit të futbollit Botev Plovdiv, Iliyan Filipov, është vrarë në qytetin e Plovdivit, raportojnë mediat lokale.
Filipov, pronar i një prej kompanive më të mëdha të transportit dhe logjistikës në Bullgari, PIMK, si dhe aksionari kryesor i Botev Plovdivit, është qëlluar për vdekje rreth orës 01:00 të së mërkurës.
Sipas raportimeve të mediave bullgare, ngjarja ka ndodhur në një pronë të tij në Plovdiv.
Pas vrasjes, policia ka ndërmarrë masa të shtuara sigurie, duke bllokuar hyrjet dhe daljet kryesore të qytetit.
Plovdivi ndodhet rreth 145 kilometra në juglindje të kryeqytetit bullgar, Sofjes. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personit apo personave përgjegjës.
“Po ndjekim në mënyrë aktive të gjitha pistat e mundshme”, ka deklaruar prokurorja e Qarkut të Plovdivit, Vanya Hristeva, gjatë një konference të shkurtër për media. Deri më tani nuk janë bërë të ditura motivet e vrasjes.