Kryeministri i Irakut, Ali Faleh al-Zaidi, ka deklaruar se forcat ushtarake amerikane do të largohen nga Iraku deri më 30 shtator dhe se milicitë e mbështetura nga Irani nuk do të kenë më “asnjë justifikim” për të vazhduar aktivitetin e tyre pas tërheqjes.
Al-Zaidi i bëri këto komente gjatë një paraqitjeje të përbashkët me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku dy liderët u takuan gjatë vizitës së parë zyrtare të kryeministrit irakian në Shtetet e Bashkuara që nga marrja e detyrës në muajin maj.
Kryeministri irakian tha se forcat e sigurisë së Irakut janë të afta të mbrojnë kufijtë e vendit dhe të garantojnë sigurinë pas largimit të trupave amerikane, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Ai e përshkroi vizitën në Uashington si fillimin e një faze të re në marrëdhëniet mes dy vendeve, e cila do të fokusohet në bashkëpunimin ekonomik dhe jo në lidhjet ushtarake.
“Kjo vizitë nuk ishte thjesht si çdo vizitë tjetër. Përkundrazi, është një njoftim për një partneritet ekonomik. Më 30 shtator, forcat amerikane do të largohen nga Iraku, ndërsa kompanitë amerikane do të jenë brenda Irakut”, tha al-Zaidi.
Ndërkohë, mediat amerikane kanë kërkuar koment nga Pentagoni lidhur me afatin e 30 shtatorit për largimin e trupave amerikane nga Iraku.
Në fillim të këtij viti, qeveria irakiane kishte njoftuar se forcat amerikane kishin përfunduar një “tërheqje të plotë” nga objektet ushtarake brenda territorit federal të Irakut. Ky njoftim nuk përfshinte rajonin gjysmëautonom të Kurdistanit, ku trupat amerikane vazhdojnë të jenë të pranishme.