Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, janë duke zhvilluar një bisedë telefonike, ka njoftuar zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino.

Në një postim në rrjetin social X, Scavino shkroi se “presidenti Trump është në Zyrën Ovale duke biseduar me presidentin Volodymyr Zelensky të Ukrainës”.

Ndërkohë, edhe zëdhënësi i Zelenskyt, Sergiy Nykyforov, ka konfirmuar për gazetarët se biseda është duke u zhvilluar.

Kjo bisedë vjen një ditë pasi Trump ka folur me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me situatën në Ukrainë

BBC ka raportuar mbi temat kryesore të diskutimit mes dy liderëve.

Çka u arrit nga biseda Trump-Putin?

Rusia ka pranuar që të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike për 30 ditë, një vendim që është zbatuar menjëherë në nivel ushtarak. Përfaqësuesit e palëve do të zhvillojnë bisedime të reja në Riad të Arabisë Saudite, si pjesë e përpjekjeve për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Të dyja palët kanë rënë dakord të zhvillojnë negociata specifike për mundësinë e një armëpushimi detar.

Çka nuk u arrit?

Rusia nuk e pranoi propozimin për një armëpushim të plotë 30-ditor në tokë, ajër dhe det.
Presidenti Putin ka kërkuar ndalimin e ndihmës ushtarake dhe inteligjente për Ukrainën si kusht për një marrëveshje përfundimtare.

Biseda e sotme mes Trump dhe Zelenskyt pritet të japë më shumë detaje mbi qëndrimin e Uashingtonit dhe Kievit pas këtyre zhvillimeve.