Trump do të paditet për pagesën e supozuar ndaj yllit të pornografisë

Një juri e madhe e Nju Jorkut ka votuar të enjten për të paditur ish-presidentin Donald Trump, në lidhje me një pagesë prej 130 mijë dollarësh për një yll pornografik përpara zgjedhjeve të 2016-ës

Donald Trump, ish-presidenti i ShBA-së

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, do të paditet për një pagesë që ia ka bërë një ylli të pornografisë, në këmbim të heshtjes para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Siç ka raportuar BBC, detajet e akuzave me të cilat do të përballet, ende nuk janë bërë të ditura, por që ka gjasa të arrestohet në ditët në vijim.

Një juri e madhe ka votuar për ta paditur atë, pas hetimit të pagesës prej 130 mijë dollarëve për Stormy Daniels-in, në përpjekje e sipër për ta blerë heshtjen e saj për një aferë të supozuar.

E ashtuquajtura juri e madhe përbëhet prej një grupi të qytetarëve, të cilëve ligji u jep autoritet për të hetuar shkeljet e mundshme penale të një pandehuri dhe të vlerësojnë nëse duhet ndëshkuar ai.

Trump, 76-vjeçar, mohon çdo keqbërje.

Ai është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me padi penale.

Prokurori i qarkut Manhatan në Nju Jork, Alvin Bragg, i cili i ka kryer hetimet, e ka konfirmuar që e ka kontaktuar avokatin e Trumpit, për të “koordinuar dorëzimin e tij” për akuzat e paspecifikuara.

Ish-presidenti amerikan që tani jeton në Florida, pritet të udhëtojë të hënën në Nju Jork dhe të paraqitet në gjykatë të martën, kanë thënë dy burime të njohura me këtë rast për transmetuesin amerikan CNBC

Pikat e padisë do t’i lexohen atij në gjykatë, e cila pritet të zgjasë 10-15 minuta.

Shërbim Sekret i Shteteve të Bashkuara – i cili ka për obligim që të mbrojë presidentin aktual dhe ish-presidentët e tjerë – do të angazhohet për sigurinë gjatë paraqitjes së Trumpit në gjyq.

Trump aty mund të japë shenjat e gishtërinjve dhe t’i bëhen fotografitë, sikurse të gjithë të pandehurve të tjerë për rastet penale.

Përmes një deklarate, Trump e ka kritikuar prokurorin e Manhatanit.

Ai e ka quajtur Prokurorin një “trup” dhe e ka akuzuar se po e bën “punën e ndyrë të Joe Bidenit”.

“Demokratët kanë gënjyer, mashtruar dhe kanë vjedhur, në obsesion e sipër për ta ‘zënë Trumpin’, mirëpo tani e kanë bërë atë që është e paimagjinueshme – e kanë paditur një person plotësisht të pafajshëm, përmes një akti të ndërhyrjes flagrante në zgjedhje”, ka thënë ai.

Trump i ka kritikuar vazhdimisht hetimet që janë bërë në Nju Jork si “gjueti shtrigash”, të cilat udhëhiqen prej kundërshtarëve të tij.

Prokurori Bragg i cili është i regjistruar si demokrat, e ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes së politikës në rastin kundër Trumpit.

“Ne i vlerësojmë rastet në bazë në fakteve juridike, ligjit dhe dëshmive”, ka thënë ai, më herët gjatë këtij muaji.

Avokatja e Trumpit, Susan Necheles, ka thënë përmes një deklarate se ai nuk ka bërë asnjë krim.

“Ne do ta luftojmë këtë ndjekje politike në gjykatë”.

Stormy Daniels.

Hetimet kanë në thelb dyshimet që Trump e ka urdhëruar ish-avokatin e tij, Michael Cohen, për ta paguar Stormy Danielsin, ish-aktore e pornografisë, më pak se dy javë para zgjedhjeve të vitit 2016, ashtu që ajo të mos flasë për aferën e dyshuar me Trumpin.

Daniels ka thënë se ka pasur aferë seksuale me Trumpin më 2006 – një vit pas ai është martuar me gruan e tij aktuale, Melania.

Cohen ka thënë në gjykatë se e ka bërë pagesën prej 130.000 dollarësh “në koordinim dhe urdhër” të ish-presidentit.

Cohen është burgosur në periudhën 2018-2020 për akuza të ndryshme.

Pas padisë, Danieles i ka falënderuar mbështetësit e saj.

“Kam aq shumë mesazhe dhe nuk mund t’iu përgjigjem të gjithëve… po ashtu nuk dua të hap shampanjën”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.

Ky rast penal mund të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara.

Trump është duke garuar për të fituar nominimin e republikanëve për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Në SHBA nuk ekziston asnjë ligj që ia parandalon një kandidati, që është shpallur fajtor për një krim, të garojë apo të shërbejë si president – qoftë edhe prej burgut.

Ndaj Trumpit – i cili ka shërbyer si president në periudhën 2017-2021 – Dhoma e Përfaqësuesve pati nisur dy herë procedurat për shkarkim.

Mirëpo, ai është shfajësuar dy herë nga Senati.

Shija e redaktorit

Pritet votimi për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill...

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka bërë të ditur se çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE është këtë të martë në rend...

Hovenier: Shoqëritë janë më stabile nëse gratë janë ekonomikisht dhe...

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier derisa ka cituar një letër të presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë se...

Presidentja e Sllovenisë: Uroj që të jetojë derisa ta shoh...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, e cila do të marrë pjesë në...

Të fundit nga rubrika