Trump e kundërshton vendimin e gjykatës dhe njofton tarifën e re globale prej 10%

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar me tone të ashpra pas vendimit të Gjykatës Supreme të SHBA-së, e cila rrëzoi tarifat e gjera të vendosura prej tij, duke e cilësuar këtë vendim si “thellësisht zhgënjyes”.

Menjëherë pas vendimit, Trump njoftoi se do të vendosë një tarifë të re globale prej 10% mbi importet, këtë herë duke u mbështetur në një tjetër bazë ligjore, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Nga Shtëpia e Bardhë, Trump deklaroi se vendimi i gjykatës nuk ndalon vendosjen e tarifave si të tilla, por vetëm përdorimin e një dispozite specifike ligjore – Aktin për Fuqitë Ekonomike Ndërkombëtare në Rast Emergjence – për të cilin Gjykata Supreme vlerësoi se nuk i jepte atij kompetencat e pretenduara.

Ai bëri të ditur se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të aplikuar një tarifë 10% në shkallë globale, duke u mbështetur në Seksionin 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974.

Sipas tij, tarifat ekzistuese do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Trump theksoi se, sipas interpretimit të tij, nuk kërkohet miratim nga Kongresi, pasi autoritetet përkatëse parashikohen edhe në Seksionet 232 dhe 301 të ligjit tregtar.

Gjatë një konference për shtyp, presidenti kritikoi hapur gjyqtarët që votuan kundër tij, duke i quajtur vendimet e tyre të gabuara dhe të pajustifikuara.

Trump argumentoi se vendimi nënkupton se nuk mund të vendosë tarifa, ndërkohë që – sipas tij – ka kompetenca për të ndërprerë tregtinë ose për të shpallur embargo.

“Me fjalë të tjera, mund të ndërpres tregtinë me një vend, por nuk mund të vendos një tarifë të vogël?”, u shpreh ai.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ndonëse Trump foli me ton më të përmbajtur se zakonisht, pakënaqësia e tij ishte e qartë. Megjithatë, ai nuk dha detaje të plota mbi hapat konkretë për zbatimin e planit të ri.

I pyetur nëse fondet e mbledhura nga tarifat që nga shpallja e ashtuquajtur “Liberation Day” do të duhet të kthehen, Trump u shpreh se kjo çështje nuk është diskutuar dhe mund të përfundojë në procese të gjata gjyqësore.

Ai paralajmëroi se një betejë ligjore për këtë çështje mund të zgjasë disa vite.

Presidenti amerikan ka mbrojtur vazhdimisht politikën e tarifave, duke argumentuar se ato nxisin prodhimin vendas dhe forcojnë pozitën ndërkombëtare të SHBA-së. Nga ana tjetër, përfaqësues të biznesit dhe kundërshtarë politikë paralajmërojnë se kostot e tyre përkthehen në rritje çmimesh për konsumatorët.

Kujtojmë se me shumicë votash 6-3, Gjykata Supreme vendosi se Trump kishte tejkaluar kompetencat e tij duke përdorur një ligj të destinuar për emergjenca kombëtare për të vendosur tarifa të gjera, duke theksuar se taksat mbi importet kërkojnë miratim nga Kongresi.

Vendimi prek tarifat e njohura si të “Liberation Day”, por nuk anulon tarifat specifike të vendosura ndaj vendeve apo produkteve të veçanta.

Gjykata Supreme rrëzon tarifat globale të Trumpit

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika