Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar Elon Musk për krijimin e një partie të re politike, duke e quajtur idenë “qesharake”.

“Gjithmonë kemi pasur një sistem dypartiak. Një parti e tretë vetëm sa sjell më shumë konfuzion,” tha Trump të dielën para gazetarëve, pak para se të nisej me Air Force One, raporton BBC.

Elon Musk, ish-aleati i ngushtë i Trumpit, konfirmoi gjatë fundjavës në platformën X se ka themeluar “Partinë Amerikane”, me synim të sfidojë si republikanët ashtu edhe demokratët.

Sipas tij, fokusi fillestar i partisë do të jetë në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin gjatë 12 muajve të ardhshëm, ndërsa nuk përjashton mbështetjen e një kandidati presidencial në të ardhmen.

Më herët, Musk kishte udhëhequr Departamentin për Efikasitet të Qeverisë (DOGE), një agjenci e cila synonte të ulte shpenzimet federale – një pikë e përbashkët mes tij dhe Trumpit në të kaluarën.

Por marrëdhënia mes tyre duket se është përkeqësuar. Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump u shpreh i zhgënjyer me Musk: “Është e trishtueshme ta shohësh Elonin duke dalë plotësisht nga shinat.”

Tensionet mes dy figurave janë rritur sidomos pas nënshkrimit të ligjit të ri nga presidenti më 4 korrik, i cili heq përfundimisht lehtësirat tatimore për automjetet elektrike – një goditje e drejtpërdrejtë ndaj interesave të kompanisë Tesla.