Trump e shpall Charlie Kirk “hero amerikan”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e përshkroi aktivistin konservator Charlie Kirk si një “hero të madh amerikan” dhe një “martir” gjatë një ceremonie përkujtimore në stadiumin State Farm, ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz. Ngjarja, që u zhvillua në Arizona të dielën, u kthye në një demonstrim të mbështetjes për lëvizjen konservatore dhe […]
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e përshkroi aktivistin konservator Charlie Kirk si një “hero të madh amerikan” dhe një “martir” gjatë një ceremonie përkujtimore në stadiumin State Farm, ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz.
Ngjarja, që u zhvillua në Arizona të dielën, u kthye në një demonstrim të mbështetjes për lëvizjen konservatore dhe trashëgiminë e Kirkut, i cili u vra më 10 shtator gjatë një debati në universitetin e Utah.
Në skenë, përveç Trumpit, folën zëvendëspresidenti JD Vance, sekretarë të kabinetit dhe personalitete të njohura të organizatës Turning Point USA, të themeluar nga Kirk.
Ata e përshkruan 31-vjeçarin si një figurë historike për konservatorizmin amerikan dhe një frymëzim për brezin e ri.
“Charlie jo vetëm që ndihmoi, por bëri diferencën fituese. Nuk do të ishim këtu pa të”. ka thënë Vance.
Një moment prekës ishte fjala e gruas së tij, Erika Kirk, e cila shpalli se e kishte falur vrasësin e dyshuar, 22-vjeçarin Tyler Robinson.
“E fal sepse kjo është ajo që bëri Krishti dhe kjo është ajo që do të bënte Charlie”, ka thënë ajo mes lotësh. Erika, tashmë CEO e re e Turning Point USA, u zotua të vazhdojë misionin e të shoqit.
Trump, i cili foli pas saj, theksoi se vdekja e Kirkut do të mbetet një pikë kthese për lëvizjen e tij.
“Ai është tani një martir për lirinë e Amerikës. Askush nuk do ta harrojë kurrë Charlien, as historia”, ka thënë presidenti, duke e cilësuar Kirkun si “një njeri të madh të gjeneratës së tij”.
Ngjarja, e cila mblodhi figura të larta politike dhe dhjetëra mijëra mbështetës të MAGA-s, nxori në pah ndarjet e thella politike në SHBA.
Përkrahësit e Kirk fajësuan “të majtën radikale” për nxitjen e klimës së dhunës politike, ndërsa kritikët akuzuan administratën Trump për përdorimin e vdekjes së tij si pretekst për shtrëngimin e lirisë civile.
Vrasësi i dyshuar, Robinson, përballet me dënimin me vdekje, ndërsa motivi i sulmit ende mbetet i paqartë.
Charlie Kirk, i cili u bë i njohur për debatet e tij të ashpra me studentë në kampuset universitare dhe për ndikimin e madh në rrjetet sociale, mbetet një nga figurat më të rëndësishme në mobilizimin e të rinjve konservatorë në SHBA.















