Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj gjyqtarit të Gjykatës Supreme të Brazilit, Alexandre de Moraes, duke e akuzuar atë për ndalime arbitrare para gjykimit dhe për shtypje të lirisë së shprehjes.

Moraes është figura kryesore që po udhëheq hetimet kundër ish-presidentit të djathtë Jair Bolsonaro dhe aleatëve të tij, për dyshimet se kanë planifikuar një grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022. Bolsonaro i ka mohuar akuzat dhe e ka quajtur Moraes “diktator”.

Pas shpalljes së sanksioneve, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që rrit tarifat tregtare ndaj Brazilit në 50%.

Presidenti aktual i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, reagoi duke e cilësuar sanksionimin e një gjyqtari si “ndërhyrje të papranueshme në sistemin gjyqësor të vendit” dhe tha se Brazili është i gatshëm të negociojë me SHBA-në, por paralajmëroi masa të njëjta tarifore nëse tensionet vazhdojnë.

SHBA është partneri i dytë më i madh tregtar i Brazilit pas Kinës, dhe përplasjet e tilla mund të kenë ndikim serioz në ekonominë e dy vendeve.