Trump-i i kërkon Gjykatës Supreme të ndërhyjë në çështjen e imunitetit

Donald Trump ka bërë një kërkesë për të pezulluar një vendim gjyqësor, që hodhi poshtë pretendimin e tij për imunitet nga ndjekja penale në një rast gjyqësor, ku ai akuzohet për tentativë për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020. Ai argumentoi se pa një mburojë të tillë, "presidenca, siç ne e njohim, nuk do të ekzistojë më"

Donald Trump i ka kërkuar Gjykatës Supreme amerikane më 12 shkurt që të pezullojë një vendim gjyqësor, që hodhi poshtë pretendimin e tij se ka imunitet nga ndjekja penale për rastin gjyqësor, ku ai po akuzohet se tentoi të përmbyste humbjen në zgjedhjet e vitit 2020. Ai ka argumentuar se pa një mburojë të tillë, “presidenca, siç ne e njohim, nuk do të ekzistojë më”.

Trump, që po synon të fitojë zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit, u ka kërkuar gjykatësve që të pauzojnë vendimin e 6 shkurtit, që u mor nga një panel gjyqtarësh të Gjykatës Supreme të Qarkut Kolombia. Paneli prej tre gjyqtarësh hodhi poshtë pretendimin e Trump-it se ai ka imunitet nga përndjekja ligjore.

Avokatët e Trump-it, në kërkesën dorëzuar në Gjykatën Supreme, thanë se “mbajtja e gjyqit penal për muaj të tërë ndaj presidentit Trump në mes të një sezone zgjedhore do të dëmtojë në mënyrë drastike aftësinë e Trump-it për të bërë fushatë” kundër presidentit Joe Biden për zgjedhjet e nëntorit.

Avokatët kërkuan që gjykatësit të pezullojnë procedurat gjyqësore, pasi po kërkojnë që kjo çështje të rishqyrtohet nga një gjykatë në qarkun e Uashingtonit dhe nëse është e nevojshme, më pas të apelohet në Gjykatën Supreme.

Në një gjykatë federale në Uashington ishte paraparë që të niste gjyqi ndaj Trump-it më 4 mars, nën akuzat për përmbysje të rezultatit. Data e nisjes së gjyqit është shtyrë dhe nuk është vendosur një datë e re, shkruan REL.

Trump, që përballet me katër akuzat penale, është ish-presidenti i parë amerikan që ndiqet penalisht. Ai konsiderohet kandidati kryesor për të fituar nominimin e republikanëve për të sfiduar demokratin Biden, në zgjedhjet e nëntorit.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika