Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka bërë thirrje të dielën presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës, duke thënë se sulmet po shkaktojnë mungesë të karburantit dizel, e cila po “dëmton botën”.
Një valë sulmesh ukrainase me dronë me rreze të gjatë ndaj rafinerive ruse të naftës gjatë muajve të fundit ka ulur prodhimin e karburanteve në Rusi dhe ka shkaktuar mungesa të benzinës në të gjithë vendin, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Ukraina, e cila përballet rregullisht me sulme ruse ndaj infrastrukturës së saj energjetike, thotë se rafineritë janë objektiva legjitime ushtarake.
Çmimi mesatar kombëtar i naftës dizel në SHBA, e cila përdoret nga kamionët, trenat, anijet dhe pajisjet bujqësore, kaloi për herë të parë 6 dollarë për gallon të enjten, sipas gjurmuesit të çmimeve GasBuddy.
“Zoti Zelensky duhet të bëjë një gjë: duhet të ndalojë së godituri karburantin dizel në Rusi”, u tha Trump gazetarëve gjatë një vizite në Irish Open, turne që po zhvillohet në perëndim të Irlandës, në një fushë golfi në pronësi të familjes së tij.
“Ne kemi folur me zotin Zelensky për këtë. Ka shumë objektiva të tjera. Mos goditni karburantin dizel. Kjo po e dëmton botën”, tha ai.
Trump shtoi se mungesa globale e karburantit “nuk po shkaktohet nga Lindja e Mesme, por nga ajo që po ndodh me Rusinë dhe Ukrainën”.
Rusia ka ulur parashikimin për prodhimin e naftës për këtë vit në nivelin më të ulët në 17 vjet dhe ka rishikuar parashikimet për eksportet e karburanteve për vitet 2026 dhe 2027, për shkak të luftës.