Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, duke paralajmëruar shkurtimin e afatit 50-ditor që i kishte dhënë më herët për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Ukrainë.

“Jam i zhgënjyer me Putinin. Do ta shkurtoj afatin 50-ditor për arritjen e një marrëveshjeje për Ukrainën. Do t’i jap një numër më të ulët ditësh,” deklaroi Trump para një takimi me kryeministrin britanik, Keir Starmer, në Skoci, citon agjencia “Reuters”.

Megjithatë, ai nuk e bëri të ditur se cili do të jetë afati i ri që do t’i caktojë Putinit.

Gjatë një takimi më 14 korrik me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë, Trump kishte paralajmëruar se nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 50 ditëve, SHBA-të do të vendosin tarifa prej 100 për qind ndaj Rusisë.

“Ne do të vendosim tarifa shumë të rrepta nëse nuk arrijmë një marrëveshje brenda 50 ditëve. Tarifat prej rreth 100 për qind do të quhen tarifa dytësore”, kishte deklaruar ai, duke theksuar se këto masa do të merren pa miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve apo Senatit amerikan.

Tarifat e ashtuquajtura dytësore do të përfshijnë edhe shtetet e tjera që vazhdojnë të blejnë naftë nga Rusia, duke zgjeruar kështu fushën e zbatimit të sanksioneve.