Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar të premten se nuk është i kënaqur me një ofertë të re nga Irani për t’i dhënë fund konfliktit dy-mujor me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
“Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje, por unë nuk jam i kënaqur me të, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
“Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje sepse nuk i ka mbetur më ushtri.”
I pyetur për arsyet e pakënaqësisë me propozimin e fundit iranian, Trump tha: “Ata po kërkojnë gjëra me të cilat unë nuk mund të pajtohem.”
Më herët gjatë ditës, zyrtarë pakistanezë në Islamabad, të cilët kanë luajtur rol ndërmjetësues në bisedimet e paqes mes SHBA-së dhe Iranit, konfirmuan për MS NOW se Teherani u kishte dërguar një propozim të përditësuar për përfundimin e luftës, i cili më pas i ishte përcjellë palës amerikane.
Trump theksoi gjithashtu se Irani ka bërë “përparim” në negociata, por shtoi se nuk është i sigurt nëse do të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
“Ka mosmarrëveshje të jashtëzakonshme brenda udhëheqjes iraniane, gjë që po e komplikon procesin e paqes”, tha ai.