Trump kërcënon me rritjen e tarifave për automjetet kanadeze, tensionohen marrëdhëniet me Kanadanë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se do të rrisë tarifat doganore për automjetet dhe pjesët e automjeteve që importohen nga Kanadaja, në kuadër të përshkallëzimit të luftës tregtare mes dy vendeve.

Trump tha të hënën se nga 1 janari tarifat për veturat, kamionët dhe pjesët e automjeteve kanadeze do të rriten nga 25% në 50%.

Kjo deklaratë vjen pasi negociatat tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë dështuan në fundjavë. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për paraqitjen e kërkesave të papranueshme në momentet e fundit të bisedimeve.

Kryeministri kanadez, Mark Carney, e cilësoi kërcënimin e fundit të Trumpit si të pritshëm dhe e akuzoi presidentin amerikan se synon të shkatërrojë industrinë e automobilave në Kanada.

Carney tha se Kanadaja është e gatshme t’i rifillojë negociatat, por vetëm nëse SHBA-ja vjen në tryezë me “qëndrimin e duhur”.

Ndërkohë, Kanadaja ka paralajmëruar se do të përgjigjet me tarifa reciproke ndaj produkteve amerikane, “dollar për dollar”. Qeveria kanadeze ka njoftuar se të martën do të mbajë një konferencë për media, ku pritet të prezantojë masat që do të ndërmarrë për t’iu përgjigjur luftës tregtare dhe për të mbrojtur punëtorët dhe bizneset kanadeze.

Negociatat mes dy vendeve u ndërprenë të premten në mbrëmje, pak para skadimit të një afati të vendosur nga SHBA-ja, i cili parashikonte vendosjen e një tarife prej 50% ndaj importeve kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë amerikanë.

Dështimi i bisedimeve shënoi një përkeqësim të ndjeshëm të marrëdhënieve tregtare, pasi më herët gjatë javës të dyja palët kishin shprehur optimizëm se mund të arrinin një marrëveshje të re tregtare.

Zyrtarët kanadezë kanë thënë se SHBA-ja kishte paraqitur kërkesa të reja në momentet e fundit, të cilat i konsideruan “të papranueshme”. Ndër to ishte edhe një klauzolë që do të kufizonte vendet me të cilat Kanadaja mund të lidhte marrëveshje tregtare, raporton BBC.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, ka deklaruar se ishte Kanadaja ajo që kishte bërë ndryshime në momentet e fundit të negociatave.

Përplasja mes dy vendeve është përshkallëzuar edhe më tej pas paralajmërimit të Trumpit për tarifat ndaj industrisë kanadeze të automobilave dhe deklaratës së Carneyt se Kanadaja do t’u përgjigjet masave amerikane me tarifa të barasvlershme ndaj mallrave nga SHBA-ja.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika