Trump mban takim për “vendimin final” mbi marrëveshjen me Iran

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se po zhvillon një takim për të marrë një “vendim përfundimtar” lidhur me një marrëveshje për zgjatjen e armëpushimit me Iran.

Trump tha se Irani duhet të pajtohet që të mos posedojë kurrë armë apo bomba bërthamore, ndërsa kërkoi gjithashtu rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për qarkullim të pakufizuar detar në të dy drejtimet, si dhe shkatërrimin e të gjitha minave të vendosura në këtë rrugë ujore strategjike, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

“Do të takohem tani në “Situation Room” për të marrë një vendim përfundimtar”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, Irani deklaroi se nuk po negocion për programin e tij bërthamor.

Zyrtarë amerikanë thanë të enjten se të dy vendet kanë rënë dakord për një kornizë marrëveshjeje – të njohur si memorandum mirëkuptimi – në pritje të miratimit nga Trump dhe udhëheqja iraniane.

Marrëveshja pritet të zgjasë armëpushimin për 60 ditë dhe të nisë bisedimet për të ardhmen e programit bërthamor iranian.

Në një postim në Truth Social, Trump tha se është i gatshëm të heqë bllokadën amerikane në Ngushticën e Hormuzit dhe se anijet e bllokuara në atë zonë mund të fillojnë “procesin e kthimit në shtëpi”.

Ai gjithashtu insistoi që Irani të lejojë SHBA-në të marrë dhe shkatërrojë uraniumin e pasuruar.

“Asnjë para nuk do të shkëmbehet deri në një njoftim tjetër. Çështje të tjera, me më pak rëndësi, janë dakorduar”, tha Trump.

SHBA-ja prej kohësh kërkon që Irani të ndalojë prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivele të larta dhe të heqë dorë nga rezervat ekzistuese, të cilat teorikisht mund të përdoren për armë bërthamore.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor dhe mohon se synon të zhvillojë armë bërthamore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, deklaroi për televizionin shtetëror se Irani është i fokusuar në përfundimin e luftës dhe se “nuk ka negociata për çështjen bërthamore”.

Agjencia iraniane Fars, duke cituar burime të informuara, raportoi se komentet e fundit të Trumpit ishin “një përzierje e së vërtetës dhe gënjeshtrës”.

Sipas agjencisë, memorandumi i mirëkuptimit nuk përfshin asnjë dispozitë për shkatërrimin e materialeve bërthamore.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi të enjten se negociatorët po diskutojnë ende për disa pika gjuhësore, përfshirë çështjen e pasurimit të uraniumit.

“Nuk jemi ende aty, por jemi shumë afër dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, tha ai.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt. Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar Izraelin dhe shtetet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, ndërsa praktikisht mbylli Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar rritje të madhe të çmimeve globale të naftës.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 8 prill, Trump ka deklaruar vazhdimisht se palët janë afër marrëveshjes, megjithëse deri tani nuk ka pasur rezultate konkrete.

Negociatori kryesor iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, tha të premten se Irani “nuk ka besim te garancitë apo fjalët, por vetëm te veprimet”.

“Asnjë hap nuk do të ndërmerret para se pala tjetër të veprojë. Fituesi i çdo marrëveshjeje është ai që është më mirë i përgatitur për luftën ditën pas saj”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit gjatë ditëve të fundit.

 

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika