Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të reduktuar ndjeshëm Zërin e Amerikës (VOA), rrjetin global të lajmeve të pavarur dhe të financuar nga qeveria federale.

Ky vendim prek drejtpërdrejt Agjencinë Amerikane për Median Globale (USAGM), e cila është institucioni mëmë i VOA-së dhe financon gjithashtu organizata jofitimprurëse si Radio Free Europe dhe Radio Free Asia – media të krijuara fillimisht për të luftuar propagandën komuniste.

Sipas urdhrit të ri, drejtuesve të këtyre agjencive u kërkohet të “redukojnë performancën… në minimumin e kërkuar me ligj”.

Drejtori i VOA-së, Mike Abramowitz, deklaroi se ai dhe pothuajse i gjithë stafi prej 1,300 punonjësish janë vënë në pushim me pagesë.

“Ky vendim na lë të paaftë për të përmbushur misionin tonë jetik, veçanërisht në një kohë kur kundërshtarët e Amerikës, si Irani, Kina dhe Rusia, po shpenzojnë miliarda dollarë për të krijuar narrativa të rreme kundër Shteteve të Bashkuara”, tha Abramowitz.

Administrata e Trump nuk ka dhënë ende një shpjegim për këtë vendim dhe mbetet e paqartë nëse këto media do të mbyllen plotësisht. Sipas CBS, partnerit amerikan të BBC-së, punonjësit e VOA-së u njoftuan për këtë vendim përmes një emaili nga drejtorja e burimeve njerëzore e USAGM-së, Crystal Thomas.

Një burim i tha CBS-së se të gjithë punonjësit e jashtëm dhe kontraktorët ndërkombëtarë janë njoftuar se nuk ka më fonde për pagesat e tyre.

Sipas dokumenteve të siguruara nga CBS, drejtuesit e Radio Free Asia dhe Radio Free Europe/Radio Liberty janë informuar se grantet e tyre federale janë ndërprerë. VOA dhe mediat e tjera nën USAGM arrijnë më shumë se 400 milionë dëgjues në mbarë botën dhe janë të ngjashme me BBC World Service, e cila financohet pjesërisht nga qeveria britanike.

Ndërkohë, Elon Musk, një nga këshilltarët jozyrtarë të Trump-it, i cili ka ndërmarrë shkurtime të mëdha në departamente qeveritare, ka bërë thirrje për mbylljen e VOA-së përmes platformës së tij sociale X.

Presidenti Trump ka shkurtuar gjithashtu fondet për disa agjenci të tjera federale, përfshirë ato që merren me parandalimin e pastrehësisë, si dhe institucionet e muzeve dhe bibliotekave.

Trump kishte qenë kritik ndaj VOA-së që gjatë mandatit të tij të parë dhe së fundmi ka emëruar aleaten e tij të ngushtë, Kari Lake, si këshilltare speciale për USAGM. Presidenti amerikan ka përsëritur shpesh se mediat kryesore janë të njëanshme kundër tij, duke akuzuar CNN dhe MSNBC-në për “korrupsion” dhe “paligjshmëri”, pa ofruar prova, gjatë një fjalimi në Departamentin e Drejtësisë.

Voice of America u krijua në vitin 1942 për të luftuar propagandën naziste dhe japoneze. Transmetimi i saj i parë u realizua përmes një radio transmetuesi të huazuar nga BBC-ja.

Në vitin 1976, presidenti Gerald Ford nënshkroi një statut për të garantuar pavarësinë editoriale të VOA-së, ndërsa në vitin 1994 u krijua Bordi i Guvernatorëve për Transmetimet për të mbikëqyrur mediat joushtarake. Në vitin 2013, legjislacioni amerikan u ndryshua duke i lejuar VOA-së dhe partnerët e saj të transmetojnë brenda SHBA-së./BBC