Presidenti amerikan Donald Trump ka minimizuar mundësinë e një lufte të Shteteve të Bashkuara me Venezuelën, por ka lënë të kuptohet se regjimi i NicolAS Maduros po i afrohet fundit.

Në një intervistë për programin “60 Minutes” në CBS, Trump tha se “dyshon” se SHBA-të do të hyjnë në luftë, por shtoi se “ata na kanë trajtuar shumë keq”.

Komentet e tij erdhën në kohën kur forcat amerikane po kryejnë operacione të vazhdueshme në Karaibe kundër anijeve të dyshuara për kontrabandë droge.

Sipas administratës Trump, këto aksione synojnë të ndalojnë rrjedhën e narkotikëve drejt SHBA-së, ndërsa kritikët pretendojnë se qëllimi i vërtetë është rrëzimi i Maduros.

Sipas CBS News, të paktën 64 persona janë vrarë nga sulmet amerikane në Karaibe dhe Paqësorin lindor që nga fillimi i shtatorit.

“Çdo varkë që shihni që është rrëzuar vret 25 mijë njerëz të varur nga droga dhe shkatërron familje në gjithë vendin”, tha Trump, shkruan BBC.

I pyetur nëse SHBA-të po planifikojnë ndonjë sulm tokësor në Venezuelë, ai nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë,

“Nuk do t’ju them se çfarë do të bëj me Venezuelën, nëse do ta bëja apo jo”.

Ndërkohë, Maduro e ka akuzuar Uashingtonin për “fabrikim të një lufte të re”, ndërsa presidenti kolumbian Gustavo Petro ka thënë se sulmet amerikane po përdoren për të “dominuar” Amerikën Latine.

Në intervistë, Trump foli edhe për testimet bërthamore, duke bërë thirrje për rifillimin e tyre në mënyrë që SHBA të mbajë ritmin me Rusinë dhe Kinën.

“Ne do të testojmë armë bërthamore siç bëjnë vendet e tjera”.

Ai përmendi gjithashtu bandat kriminale nga Amerika e Jugut, veçanërisht “Tren de Aragua”, të cilën e cilësoi si “bandën më të egër në botë”, duke theksuar se SHBA nuk do të lejojë “njerëz nga e gjithë bota të hyjnë”.

Trump foli edhe për mbylljen e gjatë të qeverisë amerikane, duke fajësuar demokratët për bllokimin dhe duke i quajtur ata “të çmendur” që “kanë humbur rrugën”.