Trump paralajmëron Iranin: Bëni marrëveshje bërthamore ose sulmi i ardhshëm do të jetë “shumë më i rëndë”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë thirrje Iranit të hyjë në negociata dhe të arrijë një marrëveshje për programin bërthamor, duke paralajmëruar se në të kundërtën sulmi i ardhshëm amerikan do të ishte “shumë më i rëndë”. “Iranit i mbetet pak kohë. Shpresoj të vijë shpejt në tryezë dhe të negociojë […]
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë thirrje Iranit të hyjë në negociata dhe të arrijë një marrëveshje për programin bërthamor, duke paralajmëruar se në të kundërtën sulmi i ardhshëm amerikan do të ishte “shumë më i rëndë”.
“Iranit i mbetet pak kohë. Shpresoj të vijë shpejt në tryezë dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – PA ARMË BËRTHAMORE – që të jetë e mirë për të gjitha palët,” shkroi Trump në rrjetet sociale, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Paralajmërimi i tij vjen në një kohë kur SHBA-ja po forcon praninë ushtarake në Lindjen e Mesme. Trump kujtoi se paralajmërimi i tij i fundit ndaj Iranit ishte pasuar nga një sulm ushtarak në muajin qershor.
“Sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i rëndë! Mos e detyroni një gjë të tillë,” shkroi ai, duke shtuar se një “armadë” amerikane po i afrohet Iranit.
Nga ana tjetër, Irani reagoi ashpër. Ali Shamkhani, këshilltar i liderit suprem Ajatollah Ali Khamenei, deklaroi se çdo veprim ushtarak amerikan do të rezultojë me sulme iraniane ndaj SHBA-së, Izraelit dhe aleatëve të tyre.
Edhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, paralajmëroi se forcat e armatosura iraniane janë “me gishtin në këmbëz” dhe të gatshme për t’iu përgjigjur menjëherë çdo agresioni.
Megjithatë, Araqchi theksoi se Irani mbetet i hapur për një marrëveshje bërthamore “të drejtë dhe të barabartë”, pa kërcënime apo presion, që garanton përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe përjashton armët bërthamore.
Trump konfirmoi se një forcë detare amerikane e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln po i afrohet Iranit. Zyrtarë amerikanë thanë se anija dhe mjetet shoqëruese tashmë kanë mbërritur në Lindjen e Mesme.
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë rritur ndjeshëm pas protestave të dhunshme në Iran dhe goditjeve ajrore të mëparshme ndaj objekteve bërthamore iraniane nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se qeveria iraniane është më e dobët se kurrë dhe se ekonomia e vendit është në kolaps, duke parashikuar rikthimin e protestave. Megjithatë, raportet e inteligjencës amerikane sugjerojnë se struktura e lartë e pushtetit në Iran mbetet ende e qëndrueshme.















