Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se pret që një marrëveshje paqeje me Iranin të arrihet brenda “një ose dy ditësh”.
Në një intervistë për Bloomberg News, Trump tha se bisedimet e paqes ka gjasa të zhvillohen gjatë fundjavës, duke shtuar se “shumica e pikave kryesore tashmë janë finalizuar” dhe se procesi mund të ecë shpejt, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
“Do të shkojë shumë shpejt,” u shpreh ai.
Në një tjetër intervistë për Axios, ai theksoi se Irani është i interesuar për takim dhe marrëveshje, duke shtuar: “Besoj se një takim do të ndodhë gjatë fundjavës. Mendoj se do të arrijmë një marrëveshje brenda një ose dy ditësh.”
Ndërkohë, ambasadori i Iranit në Islamabad, Reza Amiri Moghadam, ka vlerësuar përpjekjet diplomatike të të gjitha palëve, duke theksuar nevojën për t’i dhënë diplomacisë një shans, në një kohë kur raportohen edhe zhvillime si armëpushimi mes Libanit dhe Izraelit dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit.