Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se është i zhgënjyer, por ende nuk ka mbaruar me Vladimir Putinin, në një telefonatë për BBC-në.

I pyetur nëse i beson udhëheqësit rus, Trump u përgjigj: “Unë nuk i besoj pothuajse askujt.”

Deklaratat vijnë pak orë pasi ai njoftoi planet për të dërguar armë në Ukrainë dhe paralajmëroi për tarifa të ashpra ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje armëpushimi brenda 50 ditëve.

Në një intervistë nga Zyra Ovale, presidenti gjithashtu shprehu përkrahjen për NATO-n, të cilën më parë e kishte quajtur të vjetruar, duke konfirmuar angazhimin e tij për parimin e mbrojtjes së përbashkët të aleancës.

Telefonata me BBC-në, që zgjati 20 minuta, u zhvillua pas diskutimeve për një intervistë të mundshme me rastin e njëvjetorit të atentatit ndaj tij në një tubim në Butler, Pensilvani.

I pyetur nëse ai ngjarje e kishte ndryshuar, Trump tha se përpiqet të mos mendojë për të.
“Nuk më pëlqen të mendoj nëse më ka ndryshuar,” tha ai. “Po ta mendoja shumë, do të ishte vërtet diçka që ta ndryshon jetën.”

Pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump foli gjatë për zhgënjimin e tij ndaj presidentit rus.

Ai tha se kishte menduar se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë kishte qenë pranë arritjes katër herë me Rusinë.
I pyetur nëse kishte mbaruar puna me Putinin, Trump u përgjigj: “Jam i zhgënjyer me të, por jo i dorëzuar. Por, jam i zhgënjyer.”

Kur gazetari e pyeti se si do ta bindte Putinin të “ndalte gjakderdhjen”, presidenti amerikan u përgjigj: “Po punojmë për këtë, Gary.”

“Do kemi një bisedë të shkëlqyer. Do të them: ‘Kjo është mirë, mendoj se jemi afër,’ dhe më pas ai do të rrëzojë një ndërtesë në Kiev.”

Në javët e fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj qyteteve ukrainase, duke shkaktuar numrin më të madh të viktimave civile që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022.

Putin ka thënë se dëshiron paqe, por këmbëngul se “shkaqet rrënjësore” të luftës duhet të zgjidhen më parë, duke përmendur kërcënimet ndaj sigurisë së Rusisë nga Kievi, NATO dhe “Perëndimi kolektiv”.

Biseda kaloi më pas tek NATO. I pyetur nëse ende mendonte se NATO ishte “e vjetruar”, Trump tha: “Jo. Mendoj se NATO po bëhet e kundërta e kësaj,” duke shtuar se vendet anëtare “tashmë po paguajnë vetë faturat e tyre.”

Ai konfirmoi përkrahjen për mbrojtjen kolektive, duke thënë se kjo u mundëson vendeve më të vogla të mbrohen nga më të mëdhatë.

Trump po ashtu u shpreh se udhëheqësit e vendeve si Gjermania, Franca dhe Spanja e respektojnë atë dhe vendimet e tij, pjesërisht sepse “mendonin se duhet të kesh shumë talent për t’u zgjedhur dy herë president.”

I pyetur nëse liderët botërorë i bënin lajka në mënyrë të dukshme, Trump tha se “thjesht po përpiqen të jenë të sjellshëm.”

Në lidhje me të ardhmen e Mbretërisë së Bashkuar në botë, presidenti tha se mendon se është një “vend i shkëlqyer – e dini që kam prona atje”.

Për Brexit-in, ai tha se “ishte pak i rrëmujshëm, por mendoj se po rregullohet.”

Për kryeministrin britanik Sir Keir Starmer, Trump tha: “E pëlqej shumë kryeministrin, edhe pse është liberal,” dhe lavdëroi marrëveshjen tregtare SHBA–MB. Ai shtoi se ka një “lidhje të veçantë” me Britaninë dhe se për këtë arsye kishte bërë një marrëveshje me të – “ndryshe nga ç’kam bërë me konkurrentët tuaj apo me Bashkimin Evropian.”

Presidenti tha gjithashtu se po pret me padurim një vizitë të dytë shtetërore në Britani, e cila do të mbahet në shtator.

Kur u pyet për qëllimet e vizitës, ai tha: “Të kaloj mirë dhe të tregoj respekt për mbretin Charles, sepse ai është një zotëri i mrekullueshëm.”

Ai tha se nuk dëshiron që Parlamenti Britanik, i cili nuk mblidhet në shtator, të rikthehet posaçërisht që ai të mbajë një fjalim. “Mendoj se duhet t’i lëmë të pushojnë,” tha Trump.

Presidenti nuk shprehu shqetësim për fjalimin e mbretit Charles në hapjen e Parlamentit të Kanadasë, ku ai theksoi sovranitetin e vendit – një reagim ndaj komenteve të Trumpit që sugjeronin se SHBA mund të aneksonte Kanadanë.

“Ata janë të lidhur me Kanadanë, çfarë mund të bëjë ai, e dini, nuk ka zgjedhje,” tha Trump, duke shtuar: “M’u duk shumë i mirë dhe shumë respektues.”

Ai konfirmoi se SHBA është “në negociata me Kanadanë për momentin” dhe se “do të zgjidhet shumë mirë.”

Kur u pyet se çfarë do të përcaktonte trashëgiminë e tij si president, Trump tha: “Shpëtimi i Amerikës.”

“Mendoj se Amerika tani është një vend i madh, ndërsa një vit më parë ishte një vend i vdekur”./BBC