Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, prezantoi të premten dizajnin e ri të një pasaporte përkujtimore amerikane me portretin e tij, e cila do të lëshohet në një edicion të kufizuar për të shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së.
“Pasaporta e re e SHBA-së, që thotë: ‘Mirë se vini, por silluni mirë!’”, shkroi Trump në platformën Truth Social, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Ai publikoi një faqe të pasaportës ku shfaqet portreti i tij mbi tavolinën historike Resolute Desk, me tekstin e Deklaratës së Pavarësisë në sfond dhe nënshkrimin e tij në fund të faqes. Në faqen përballë paraqitet piktura “Deklarata e Pavarësisë” e artistit John Trumbull.
Dizajni i ri duket se bazohet në portretin zyrtar të Trumpit në Galerinë Kombëtare të Portreteve të Smithsonian në Uashington dhe ndryshon nga versionet e publikuara më herët këtë vit nga Departamenti i Shtetit, të cilat përmbanin një imazh tjetër të presidentit.
Më vonë gjatë ditës, edhe llogaria zyrtare e Shtëpisë së Bardhë në platformën X publikoi të njëjtin dizajn me mbishkrimin: “Pasaporta e re amerikane për të përkujtuar 250-vjetorin e Amerikës”.
Shtëpia e Bardhë i drejtoi pyetjet lidhur me dizajnin zyrtar të pasaportës Departamentit të Shtetit, ndërsa CNN ka kërkuar një koment nga ky institucion.
Pasaporta përkujtimore u njoftua për herë të parë në prill, si pjesë e aktiviteteve për shënimin e 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara. Ajo është përshkruar si një pasaportë me edicion të kufizuar, me ilustrime dhe elemente grafike të veçanta në kopertinë dhe në faqet e brendshme.
Një zyrtar kishte deklaruar për CNN se kjo pasaportë do të jetë versioni standard që do të lëshohet nga Agjencia e Pasaportave në Uashington për qytetarët që rinovojnë dokumentin personalisht në atë zyrë, ndërsa aplikimet online dhe zyrat e tjera do të vazhdojnë të përdorin dizajnin aktual.
Aktualisht, faqja e brendshme e kopertinës së pasaportës amerikane përmban pikturën e Percy Moran që paraqet Francis Scott Key pas bombardimit të Fort McHenry, ngjarje që frymëzoi shkrimin e himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.