Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Rusia ka një pozicion më të fortë në çdo bisedim paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pasi “ka marrë shumë territor”.

Në një intervistë për BBC, Trumpi është shprehur se beson që Moska dëshiron përfundimin e luftës, e cila nisi gati tre vjet më parë.

Këto deklarata ai i bëri gjatë kthimit për në Uashington DC me Air Force One, pas një fjalimi në një takim për investime të mbështetur nga Arabia Saudite në Florida.

Gjatë atij fjalimi, Trumpi e quajti presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, “diktator” – për të dytën herë brenda ditës.

Trumpi u zemërua pasi Zelensky, duke reaguar ndaj bisedimeve SHBA-Rusi në Arabinë Saudite, nga të cilave Ukraina u përjashtua, tha se ish-presidenti amerikan “po jeton në një hapësirë dezinformimi” të krijuar nga Moska.

Në përgjigje, Trumpi tha për BBC-në: “Mendoj se rusët duan ta përfundojnë luftën. Ata i kanë pak kartat në dorë, sepse kanë marrë shumë territor.”

Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se Trumpi reagoi ndaj deklaratës së Zelenskyt, duke e quajtur atë “diktator” në një postim në platformën e tij “Truth Social”, dhe më pas përsëriti të njëjtën fjalë edhe gjatë fjalimit në Florida.