Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se ushtria amerikane ka vrarë liderin e bandës kriminale venezueliane Tren de Aragua gjatë një sulmi ajror.
“Nën urdhrin tim, Komanda Jugore e Shteteve të Bashkuara kreu një goditje të shpejtë dhe vdekjeprurëse, duke eliminuar me sukses Niño Guerreron”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Niño Guerrero, emri i plotë i të cilit ishte Héctor Rusthenford Guerrero Flores, ishte prej vitesh udhëheqësi i Tren de Aragua, një prej organizatave kriminale më famëkeqe në Amerikën Latine dhe një nga objektivat kryesore të administratës Trump, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Presidenti amerikan e ka akuzuar grupin për zhvillimin e një “lufte të parregullt” kundër SHBA-së dhe e ka shpallur atë organizatë terroriste të huaj.
Trump publikoi edhe pamje që duket se tregojnë momentin e sulmit ajror, ku një ndërtesë e gjelbër dhe një objekt pranë saj shpërthejnë, ndërsa mbeturinat fluturojnë në ajër. Ai tha se operacioni ushtarak ishte “i koordinuar ngushtë me miqtë tanë në Venezuelë, me të cilët po bashkëpunojmë shumë mirë”.
Autoritetet venezueliane konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në atë që e cilësuan si një “operacion të përbashkët”.
Nga burgu në krye të një perandorie kriminale
Në janar, forcat amerikane arrestuan presidentin e atëhershëm të Venezuelës, Nicolás Maduro, gjatë një operacioni të befasishëm natën, për ta përballur me akuza penale në Nju Jork. SHBA e akuzoi atë për bashkëpunim me bandën Tren de Aragua. Në aktakuzë, Guerrero Flores figuronte si bashkëpunëtor i ngushtë.
Që nga ajo kohë, SHBA ka kërkuar të forcojë marrëdhëniet me pasardhësen e Maduros, Delcy Rodríguez, duke hequr sanksionet ndaj saj dhe duke promovuar bashkëpunimin për shfrytëzimin e rezervave të naftës së Venezuelës, të cilat konsiderohen më të mëdhatë në botë.
Nën drejtimin e Guerrero-s, Tren de Aragua u zgjerua në Kolumbi, Ekuador, Peru dhe Kili, duke kaluar nga zhvatja e emigrantëve në aktivitete të tjera kriminale si trafikimi seksual, vrasjet me pagesë dhe rrëmbimet.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, banda nisi si një grup kriminal brenda burgjeve, por Guerrero e shndërroi atë në një organizatë kriminale transnacionale. Për arrestimin e tij, autoritetet amerikane kishin ofruar një shpërblim prej miliona dollarësh.
Burgu luksoz dhe arratisjet spektakolare
Guerrero kaloi vite të tëra brenda dhe jashtë burgut. Në vitin 2012 ai u arratis pasi korruptoi një roje burgu, ndërsa u arrestua sërish një vit më vonë.
Pas rikthimit në burg, ai e transformoi burgun Tocorón, në shtetin Aragua të Venezuelës, në një kompleks luksoz me kopsht zoologjik, restorante, klub nate, qendër bastesh dhe pishinë.
Në shtator të vitit 2023, qeveria e Maduro-s dërgoi rreth 11 mijë ushtarë për të rimarrë kontrollin e burgut. Megjithatë, Guerrero arriti të arratisej edhe një herë.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ai vazhdoi të zgjerojë ndikimin e bandës duke marrë kontrollin e minierave të arit në shtetin Bolívar, korridoreve të trafikimit të drogës në bregdetin e Karaibeve dhe pikave të paligjshme kufitare mes Venezuelës dhe Kolumbisë.
Operacionet amerikane dhe polemikat ligjore
Shumica e ekspertëve besojnë se Tren de Aragua u përhap jashtë Venezuelës pas krizës humanitare dhe ekonomike që goditi vendin në vitin 2014. Aktualisht, organizata mendohet të ketë degë në të paktën tetë vende, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.
Në vende të ndryshme, banda bashkëpunon me grupe kriminale lokale. Në Ekuador, ajo dyshohet se ka lidhje me organizata të afërta me kartelin meksikan Sinaloa, ndërsa në Kolumbi është akuzuar për bashkëpunim me elementë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN).
Gjatë administratës Trump, ushtria amerikane ka kryer dhjetëra sulme ndaj anijeve që, sipas saj, përdoren për trafikimin e drogës drejt SHBA-së dhe kanë lidhje me Tren de Aragua.
Sipas mediave amerikane, më shumë se 200 persona janë vrarë në këto operacione që nga shtatori i vitit të kaluar.
Megjithatë, ushtria amerikane nuk ka publikuar prova që anijet e goditura transportonin drogë apo trafikantë, gjë që ka nxitur kritika dhe debate mbi ligjshmërinë e operacioneve.
Disa ekspertë të së drejtës ndërkombëtare argumentojnë se këto sulme mund të shkelin ligjin ndërkombëtar, pasi synojnë civilë pa u ofruar atyre proces të rregullt ligjor.
Administrata Trump ka mbrojtur veprimet e saj, duke deklaruar se ato janë të ligjshme. Në një raport drejtuar Kongresit vitin e kaluar, Shtëpia e Bardhë argumentoi se SHBA ndodhet në një konflikt të armatosur me kartelet e drogës dhe se ekuipazhet e anijeve të përdorura për trafikim konsiderohen “luftëtarë”.