Trump thotë se “Izraeli dhe Irani duhet të bëjnë marrëveshje”, derisa vazhdojnë sulmet raketore
Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se Izraeli dhe Irani duhet të arrijnë një marrëveshje paqeje, duke shtuar se “do të jetë ai” që do ta bëjë këtë të ndodhë. “Njerëzit e kuptojnë se unë bëj shumë, edhe pse s’më jepet kurrë merita. Por kjo është në rregull,” ka shkruar Trump në rrjetet sociale. “Do […]
Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se Izraeli dhe Irani duhet të arrijnë një marrëveshje paqeje, duke shtuar se “do të jetë ai” që do ta bëjë këtë të ndodhë.
“Njerëzit e kuptojnë se unë bëj shumë, edhe pse s’më jepet kurrë merita. Por kjo është në rregull,” ka shkruar Trump në rrjetet sociale.
“Do të kemi PAQE, së shpejti, mes Izraelit dhe Iranit! SHUMË thirrje dhe takime po ndodhin tani. E kam ndalur shumë herë tensionin në botë. MAKE THE MIDDLE EAST GREAT AGAIN!”, ka shtuar ai.
Deklarata e tij vjen ndërsa lufta mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e katërt, me shkëmbime intensive sulmesh ajrore dhe raketore.
Izraeli: Prapë sulme nga Irani, shumica e raketave u kapën në ajër
Ushtria izraelite ka njoftuar për një valë të re të sulmeve raketore nga Irani.
Në deklaratë thuhet se “shumica e raketave janë kapur nga sistemet mbrojtëse” dhe nuk ka raportime për raketa të rëna apo dëme në tokë.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm,” thuhet në fund të deklaratës.
Këto sulme të fundit ndodhën pas tri ditësh përplasjeje të ashpër mes dy vendeve, që nisën me një sulm izraelit mbi territorin iranian të premten.
Shifra nga Irani: mbi 120 të vrarë dhe qindra të plagosur
Sipas të dhënave të Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, të paktën 128 persona janë vrarë nga sulmet izraelite, ndërsa rreth 900 janë plagosur.
Disa institucione dhe media iraniane kanë publikuar shifra të ndryshme, të cilat BBC nuk ka mundësi t’i verifikojë, për shkak se gazetarët e huaj nuk lejohen të raportojnë nga territori iranian.
Sipas burimeve iraniane: 60 persona, përfshirë 20 fëmijë, janë vrarë nga një sulm izraelit mbi një ndërtesë në Teheran.
Në Azerbajxhanin Lindor, guvernatori lokal tha se janë vrarë 31 persona, prej tyre 30 ushtarakë dhe një anëtar i Kryqit të Kuq Iranian.
Dy persona u vranë në një sulm mbi një ambulancë në Azerbajxhanin Perëndimor.
18 anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) janë vrarë në sulme të ndryshme, përfshirë komandantin e Forcave Ajrore të IRGC-së.
7 shkencëtarë bërthamorë iranianë janë vrarë në sulme të ndara.
Të paktën 30 gra dhe fëmijë janë në mesin e viktimave, sipas zëdhënëses së qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani./BBC















