Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se çdo marrëveshje e mundshme me Iranin do të jetë ose “e shkëlqyer dhe domethënëse”, ose nuk do të ketë asnjë marrëveshje.
Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump kritikoi ashpër ligjvënësit amerikanë që reaguan ndaj raportimeve për një marrëveshje të mundshme me lëshime të mëdha nga ana e SHBA-së.
“Ata demokratë, RINO dhe budallenj që nuk dinë asgjë për marrëveshjen e mundshme me Iranin… gjëra që as nuk janë negociuar ende”, shkroi Trump.
“Marrëveshja me Iranin do të jetë ose e madhe dhe domethënëse, ose nuk do të ketë fare marrëveshje. Do të jetë e kundërta e katastrofës së JCPOA-s të administratës Obama,” shtoi ai.
Trump iu referua marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 (JCPOA), nga e cila SHBA u tërhoq në vitin 2018, duke e quajtur atë të dobët dhe duke pretenduar se i hapte rrugë Iranit drejt armëve bërthamore.
Ai ka thënë se një marrëveshje e re do të jetë shumë më e fortë, por nuk ka dhënë detaje konkrete.