Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se kryeministrat e Tajlandës dhe Kamboxhias kanë rënë dakord të ndalin përsëri përplasjet e armatosura përgjatë kufirit të tyre, duke nisur nga mbrëmja e së premtes.
“Pata një bisedë shumë të mirë këtë mëngjes me Kryeministrin e Tajlandës, Anutin Charnvirakul, dhe me Kryeministrin e Kamboxhias, Hun Manet, lidhur me rindezjen e fatkeqshme të luftës së tyre shumëvjeçare,” shkroi Trump në një postim në Truth Social.
“Ata kanë rënë dakord të ndalin të gjitha të shtënat duke filluar nga sonte dhe të rikthehen te Marrëveshja fillestare e Paqes, e arritur me ndërmjetësimin tim dhe me ndihmën e Kryeministrit të Madh të Malajzisë, Anwar Ibrahim”, u shpreh Trump, shkruan CBS, transmeton Dukagjini.
Sipas Trump, të dy vendet janë të gatshme për paqe dhe për vazhdim të marrëdhënieve tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Përplasjet e fundit të armatosura, që kanë shkaktuar viktima dhe kanë detyruar mijëra civilë të largohen nga zonat kufitare, rrezikuan seriozisht armëpushimin e arritur më herët këtë vit. Armëpushimi i korrikut ishte ndërmjetësuar nga Malajzia, ndërsa Trump kishte marrë pjesë në një takim në këtë vend në tetor, ku marrëveshja u finalizua.
Trump e ka përfshirë këtë konflikt, i cili rrjedh nga pretendime të vjetra territoriale, në listën e çështjeve që ai thotë se i ka zgjidhur.
Megjithatë, armëpushimi ka qenë i brishtë, pasi incidentet e dhunshme kanë vazhduar dhe të dy vendet kanë vijuar luftën propagandistike ndaj njëra-tjetrës.
Pas përleshjeve të fundit, gjatë një aktiviteti në Pensilvani të martën, Trump kishte deklaruar se “duhej të bënte një telefonatë”.
“Kush tjetër mund të thotë: ‘Do të bëj një telefonatë dhe do të ndaloj një luftë mes dy vendeve shumë të fuqishme, Tajlandës dhe Kamboxhias?’” u shpreh ai.
Në postimin e së premtes, Trump shtoi: “Është nder për mua të punoj me Anutinin dhe Hunin në zgjidhjen e asaj që mund të ishte shndërruar në një luftë të madhe mes dy vendeve përndryshe të mrekullueshme dhe të begata.”
Trump thotë se do të “bëjë një telefonatë” për të ndaluar përleshjet kufitare Tajlandë-Kamboxhia