Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që vendos tarifa prej 50% ndaj një game të gjerë mallrash të importuara nga Kanadaja, duke e arsyetuar vendimin me atë që e quajti “trajtim të pabarabartë” të produkteve amerikane, veçanërisht në sektorët e automobilëve, produkteve të qumështit dhe pijeve alkoolike.
Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 19 gusht dhe përbëjnë një përshkallëzim të madh të mosmarrëveshjeve tregtare mes dy vendeve fqinje të Amerikës së Veriut.
Shtëpia e Bardhë tha se masat janë të nevojshme për të mbrojtur bizneset amerikane.
Tarifat do të prekin një sërë produktesh, nga mallrat e përditshme të konsumit, si vera dhe shkopinjtë e hokejit, deri te produktet industriale si çimentoja komerciale. Megjithatë, disa eksporte kryesore kanadeze do të përjashtohen nga masat, përfshirë energjinë, potasin, mineralet kritike dhe produktet e peshkut.
Masat e reja shtohen mbi tarifat ekzistuese që SHBA-ja tashmë zbaton ndaj Kanadasë. Aktualisht, Uashingtoni vendos tarifa nga 15% deri në 50% për çelikun, aluminin dhe bakrin kanadez, 35% për drurin e butë dhe 25% për pjesët e automjeteve që nuk prodhohen në SHBA.
Nga ana tjetër, Kanadaja vazhdon të aplikojë tarifa kundërpërgjigjëse prej 25% ndaj importeve të përzgjedhura amerikane, përfshirë çelikun, aluminin dhe automjetet.
Vendimi vjen pasi Trump kishte kërcënuar më herët me tarifa për shkak të tymit nga zjarret pyjore në Kanada, që kishte depërtuar në qytetet amerikane. Megjithatë, në urdhrat ekzekutivë të nënshkruar të hënën nuk përmendet tymi i zjarreve.
Në vend të kësaj, dokumentet përmendin mosmarrëveshje të kahershme tregtare mes dy vendeve, të lidhura me industrinë e automobilëve, produktet e qumështit dhe pijet alkoolike, duke sinjalizuar se negociatat tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë kanë hyrë në një fazë të vështirë.
Trump akuzon Kanadanë se vendos taksa ndaj automjeteve dhe pjesëve amerikane që nuk mbulohen nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës (USMCA), duke e cilësuar këtë praktikë si diskriminuese ndaj Shteteve të Bashkuara.
Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mbetet sistemi kanadez i menaxhimit të tregut të qumështit, i cili kufizon importet e huaja dhe vendos tarifa që mund të kalojnë 300% për produktet që tejkalojnë kuotat e lejuara.
Gjithashtu, SHBA kundërshton bojkotin e pijeve alkoolike amerikane nga shumica e provincave kanadeze, i cili është në fuqi që nga viti i kaluar. Autoritetet kanadeze kanë deklaruar se bojkoti do të hiqet vetëm nëse SHBA-ja heq tarifat ndaj sektorëve kyç të Kanadasë, si metalet dhe industria e automobilëve.
Negociatorët kanadezë kanë punuar prej muajsh për të arritur një marrëveshje që do të ulte të paktën një pjesë të tarifave amerikane, por masat e shpallura të hënën tregojnë se bisedimet po ecin në drejtimin e kundërt.